15:12 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po fillon shndërrimi i fabrikave në djerrina?

A po fillon shndërrimi i fabrikave në djerrina?

Shkruan: Afrim Kasolli

Derisa Kuvendi i Kosovës po e vazhdon ciklin serik të dështimeve, në anën tjetër kanë filluar të ndjehen me të madhe presionet ekonomike dhe sociale, për shkak të një vendimi të Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila i detyron bizneset e mëdha që nga 1 qershor bizneset të dalin në tregun e hapur të energjisë. Fjala është për ato ndërmarrje me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro. Sipas shumë prej përfaqësueseve të kësaj kategorie, tashmë çmimi i rrymës për to do të jetë nga “220 deri në 270 për qind më të lartë”

Të njëjtit kanë protestuar javën e kaluar kundër kësaj mase në hyrje-daljet e kryeqytetit, duke kërkuar edhe më shumë kohë para zbatimit të këtij vendimi. Këtë aksion kryeministri në detyrë, Albin Kurti e quajti si të motivuar nga mentaliteti i barrikadave. Duke aluduar në sjelljet e grupeve kriminale në pjesën veriore. Kurse vartësja e tij, Artane Rizvanolli, pohoi se “Ne e kemi parasysh që këta që janë destruktivë dhe bllokues janë shumë pak, por janë të zëshëm” Ndërkohë, sot subjekti i dytë parlamentar, e paska mbajtur premtimin”. Pra sipas saj, zërat e tyre janë irelevant.

Ndaj këtyre pretendimeve të pushtetit, ditë më parë kishte reaguar analisti Shenoll Muharremi, i cili ka qenë ndër më të zëshmit kundër këtyre eksperimenteve energjetike. Duke i çmontuar një nga një arsyetimet e pushtetit, ai shkruante se ky 1% që për zyrtarët e pushtetit është një pakicë e papërfillshme, në fakt i formon “1.300 bizneset kryesore në vend. Në kuadër të saj janë, “59% të qarkullimit të përgjithshëm, 43% të punësimit në sektorin privat, 48% të tatimeve që mbledh shteti Prandaj ato janë edhe shtylla e ekonomisë dhe buxhetit të shtetit”.

Sipas Muharremit as pretendimi se “Liberalizimi nuk ka lidhje me rritjen e çmimeve për konsumatorin”, nuk është i qëndrueshëm. E tëra kjo për një fakt të thjeshtë. Sepse “rryma është komponenta kyçe e prodhimit. Psh një fabrikë që paguante €10,000 tani me oferta që janë ofru paguan €25,000. Rritja e energjisë – rritje çmimesh në të gjithë zinxhirin: Buka, vaji, mishi, qumështi, uji, detergjentët, të gjitha preken dhe pjese e shportës. Rritje e inflacionit – varfërim për qytetarin”.

Ndërkohë, opinionisti Ilir Ibrahimi, sot në rrjetin e tij social shkruante se si një mik i tij e ka informuar se do ta mbyll një fabrikë, pikërisht për shkak të këtij vendimi skandaloz të ZRRE-se. Sipas analistit në fjalë, “sot po mbyllen dyert e fabrikave që dikur gumëzhinin nga puna. Jo për shkak të dështimit, jo për mungesë vizioni apo për mungesë përkushtimi – por për shkak të një vendimi të paarsyeshëm, të marrë në zyrat e ftohta të pushtetit, larg realitetit të biznesit dhe larg njerëzve që mbajnë gjallë këtë vend. Aty ku dikur kishte shpresë, sot ka heshtje. Aty ku kishte prodhim, sot ka dry. Dhe më e dhimbshmja nga të gjitha – aty ku kishte marrëdhënie, besim, bashkëpunim – sot ka lot të fshehur dhe punëtorë që kthehen në shtëpi me duar bosh”, ka përfunduar analistit në fjalë.

Përfundimisht, partia në pushtet një pjesë të mbështetjes popullore e ka fituar nga slogani për barazi dhe punësim. Por pasi këtë të fundit është duke dështuar ta jetësojë, atëherë nuk i ka mbetur tjetër mundësi pos që qytetarët e Kosovës t’i shndërrojë të barabarte në papunësi. Dhe kjo tendencë askujt nuk i konvenon me shumë se sa pushtetit aktual. Sepse sa më të papunë të jenë njerëzit aq me lehtë manipulohen. Në këtë mënyrë, shoqëria shndërrohet në masa. Ngase shpërbehen hierarkitë dhe strukturat. Qytetari shkrihet në turmë. Derisa në fund të mos mbetet asgjë tjetër, pos në njërën anë pushteti dhe në anën tjetër masat amorfe.