Shkruan: Afrim Kasolli
Sulmet e ushtrisë ruse mbi Ukrainën, sidomos ndaj popullsisë civile si dhe ato të Izraelit në rripin e Gazës, kanë marrë përmasa alarmante. Kjo e fundit po përballet me një krizë të paprecedent humanitare nga imponimi i masave drakoniane të të shtetit izraelit me qëllim privimin e popullsisë palestineze nga burimet ekzistenciale për jetesë, si pjesë e strategjisë së luftës. Ky përkeqësim i situatës sidomos në rastin e parë shënon edhe një dështim të përpjekjeve diplomatike te presidentit Trump për ta siguruar me çdo kusht një armëpushimin në mes Ukrainës dhe Rusisë. Të gjithëve na kujtohet se gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale në SHBA, por edhe pas përfundimit të tyre, i njëjti deklaronte se me të marrë drejtimin Shtëpisë së Bardhë, për 24 orë do t’i jepte fund asaj lufte. Madje, sikur të kishte qenë në pushtet ajo as që do kishte filluar. Sepse pushtimet e Putinit në Ukrainë, kishin ndodhur si në vitin 2014 në rastin e Gadishullit të Kriemesë, kur në krye te SHBA-ve ishte ish-presidenti Obama, si dhe herën e fundit në kohën e ish-presidentit Biden.
Presidenti Trump, disa herë ka deklaruar se kjo është lufta e Bidenit dhe jo e tij. Kurse sa i përket konfliktit në Lindje të Mesme, spekulohet se kryetari aktual i SHBA-ve, para se të vendoset në Zyrën Ovale, disa herë e ka rekomanduar kryeministrin izraelit, Beniamin Natanjahu që ta përfundojë punën e nisur (finish the job) Mirëpo, sot pas sa muajve që SHBA-të drejtohen nga presidenti Trump, as nuk është ndalur lufta në Ukrainë dhe as lideri izraelit nuk ia ka dalur ta finalizojë detyrën e dhënë. Për më tepë në rastin e dytë gjithnjë e më shumë është duke u sajuar një solidratiet ndërkombëtar i shteteve perëndimore kundër politikave të liderit izraelit në Gaza. Kurse, sipas mediumit Reutres, Franca është duke u tunduar gjithnjë e më shume drejt njohjes së shtetit palestinez. Përkeqësimi i situatës në të dy këto vatra të konflikteve mbase dëshmon edhe për iluzionet e të parit të SHBA-ve, se me një të rënë të lapsit do t’i korrigjonte gabimet diplomatike të ish-administratës demokrate.
Një besim të tillë ai e bazonte sipas të gjitha gjasave në aftësitë e tij personale negociatore nga përvoja jetësore si biznesmen. Nuk është e rastësishme qe edhe i dërguari i tij në këto konflikte nuk është emëruar dikush që ka sfond politik dhe diplomatik në kuadër të administratës amerikane, por mikun e tij, Steve Witkoff. Madje, edhe sot e kësaj dite presidenti amerikan vazhdon të jetë peng i kësaj qasje. Në reagimin e fundit ndaj fushatës masive të Moskës mbi Ukrainën, Donald Trump ka shkruar, “Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin, por diçka ka ndodhur me të. Ai është bërë KREJTËSISHT I ÇMENDUR!”.
Por “çmenduria” e liderit rus në fakt është konfirmim i dështimit të qasjes personaliste diplomatike, sipas imazhit biznesor të presidentit Trump. Sepse,, këto dy sfera dallojnë rrënjësisht nga njëra tjetra. Dhe ekstrapolimi i qasjes bizensore në zgjidhjen e konflikteve politike dhe historike është e destinuar të mos ketë sukses. Kuptohet, ajo mund të tregohet efektive në marrëveshjet sikur ato që i pamë kohen e fundit me liderët arabë në Lindje te Mesme.
Por si e tillë nuk mund ta zëvendësojë gjeopolitikën. Sepse, konfliktet e kësaj natyre nuk njohin metoda tjera të zgjidhjes pos mjeteve gjeopolitike.