Në qoftë se si pushteti aktual (që është në detyrë) ashtu edhe partitë opozitare po heshtin përballë super-krimit të organizuar në sektorin energjetik, atëherë kjo është tregues i qartë se pa “marrë dorë” në skemat kriminale të mafisë energjetike nuk mund ta marrësh kurrë pushtetin në Kosovë.
Rritja e paparë mes 150-200% e çmimit të energjisë në 5 vitet e fundit, është treguesi më i mirë i ndikimit që ka mafia energjetike se kush duhet të jetë në pushtet në Kosovë e kush jo. Futja e politikës së Kosovës (pozitë e opozitë) në këto skema kriminale energjetike që kryesisht janë shtyrë përpara nga Rusia përmes evropianëve për ta lënë Kosovën të varur nga importi i energjisë, e dëshmon më së miri se pse Kosova, gjersa vlon mbi rezerva energjetike, nuk ia doli ta zgjidhë problemin energjetik në këto 26 vite çlirim dhe 17 vite shtetësi.
Pra, tashmë është e qartë që kjo heshtje varri e politikës së Kosovës (pozitë e opozitë) ndaj importit të rrymës dhe rritjes së çmimit të tij është në funksion të skemave kriminale të mafisë energjetike.
Prandaj, Kosovës urgjentisht i duhet një forcë e re politike që qysh në ditën e parë të qeverisjes do të shkonte në SHBA dhe do të pajtohej menjëherë me SHBA për ta ringjallur idenë e ndërtimit të një mega-termocentrali, i cili do të përdorej edhe për gazifikimin e thëngjillit me zero ndotje mjedisore dhe ku Kosova krahas politikave të SHBA-së të ri-thëngjillizimit të energjisë do ta bënte kapërcimin e madh ekonomik. Vetëm kështu kjo forcë e re politike do të mund ta shkëpuste Kosovën nga kthetrat e mafisë energjetike që ka ngulfatur ekonominë dhe të ardhmen e Kosovës që për qëllim final ka shpopullimin e frikshëm të Kosovës.