Shkruan: Afrim Kasolli
Saga e dështimit të Kuvendit për t’u konsistuar u përsërit edhe për të 13 herë. Propozimi i kryesuesit të seancës për ndryshim të mënyrë së votimit nga të hapur në të fshehtë, nuk i mori votat e mjaftueshme të deputeteve.
Mirëpo derisa kjo krizë po vazhdon, kanë filluar të kristalizohen edhe qëndrimet e partive politike “opozitare” se si duhet të gjendet rruga për shtegdalje nga kjo situatë.
Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon t’i qëndrojë besnik qëndrimit të saj për krijimin e një qeverie të unitetit nacional. Kryetari i këtij subjekti Lumir Abdixhiku, ka pohuar se “LDK-ja e ka thënë një iniciativë, jo për protagonizëm, nëse duan ta bëjnë një organizim të tillë le ta bëjnë, përfshirë edhe presidenten. Thelbësore është për çka po takohemi, për të dhënë zgjidhje, apo për ta vazhduar këtë cirk. Partitë qëndrojnë në pozicione që na sjellin çdo 48 orë, por ndonëse dua t’i kuptoj pozicionet e tyre janë dëshirore. Askush nuk e ka shumicën në Kosovë, e meqenëse askush nuk e ka, le të ulemi. Ne kemi bërë një propozim, nëse partitë nuk e dojnë, le të vazhdojnë të mblidhen e të tallen me qytetarët e Kosovës”,
Sidoqoftë, ky propozim përpos që është sulmuar nga partia në “pushtet” si riinkarnim i kohës së UNMIK-ut, po ashtu nuk është përkrahur as nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Këto dy të fundit kanë deklaruar se nuk e preferojnë një koalicion më Lëvizjen Vetëvendosje si pjesë e saj.
Ndërkaq, partia e dytë parlamentare, ka deklaruar se nuk është kundër një ftese eventuale nga Presidentja e shtetit për partitë politike parlamentare me qëllim tejkalimin e kësaj situate. Sipas, deklarimeve nga stafi i këtij institucioni, e para shtetit ka shprehur vullnet pqë t’i kontaktojë së “shpejti partitë politike, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”.
Ndërkohë, sot Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë më dije se i “kanë siguruar votat e nevojshme për të dërguar çështjen e ndryshimit të votimit për zgjedhjen e kryeparlamentares në Kushtetuese”. Deputetja e këtij subjekti Time Kadrija ka pohuar se këtë lëndë do ta dërgojnë të hënën në Gjykatën Kushtetuese. Se a ka bazë për dërgimin e kësaj lënde pranë këtij institucioni kanë pohuar edhe ekspert juridik. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar, “vendim është çdo votim i kuvendit “për”, kundër apo abstenim. Të gjitha ato janë vendime. Për të gjitha ato çdoherë ec afati 8 ditor prej ditës kur merret. Sepse ai është vendim për të cilin votohet. Dhe tash këtu vendim për të cilin votohet është refuzues deputete me plotë të drejt nuk dojnë me marrë pjesë në kaosin që ka krijua z. Dehari”, Dhe së këtë lëndë mund ta dërgojnë presidentja, Avokati i Popullit apo disa deputetë.
Aktualisht partitë “opozitare” pas disa dështimeve për t’u konsistuar Kuvendi janë pozicionuar për tri nisma si reagim ndaj refuzimit të Lëvizjes Vetëvendosje, fillimisht për të mos e ndryshuar kandidaten e tyre për krye parlamentare, Albulena Haxhi dhe më pastaj institimit për ta ndryshuar mënyrën e votimit, e cila nuk ka gjetur përkrahje nga të parat. Mbetet të shihet se a do të kenë efekte këto nisma? Ndërkohë, deri në një epilog tjetër, sipas të gjitha gjasave do të vazhdojmë të jemi dëshmitar të serisë së dështimeve tjera të Kuvendit për t’u konstituar. /TV Arbëria