Shkruan: Afrim Kasolli
Albin Kurti kurrë nuk e ka përjashtuar koalicionin qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Përkundrazi disa herë ka pohuar se kjo e fundit është konstantja, kurse partitë tjera janë variabla e pushtetit në Kosovë. Mirëpo, sipas tij një bashkëqeverisje e tillë mund të bëhet realitet vetëm kur kjo parti nuk do të drejtohet nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Mënyra se si këta dy personalitete themeltare të këtij subjekti politik janë larguar nga skena politike dihet nga të gjithë ne. Ajo kthesë ishte e kushtëzuar nga detyrimi i Kosovës për t’u përballur me akuzuat dhe sajesat shpifëse të shërbimeve armiqësore. Pra “reforma në PDK” u kushtëzua nga triumfi ndërkombëtar i qëndrimeve armiqësore kundër shtetit të Kosovës.
Megjithatë, sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, Partia Demokratike të Kosovës, atëbotë së bashku me ndryshimet që kishin ndodhur në LDK (ndërkohë këto të fundit, po ashtu është e ditur se u determinuan nga klima e brendshme populiste e prirë nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kundër Marrëveshjes së Uashingtonit në vitin 2020), kanë hyrë në procesin e reformave. Prandaj, tashmë në gjykimin e Albin Kurtit, janë krijuar kushtet për një martesë të tillë politike edhe me Partinë Demokratike të Kosovës. Kështu, pas frikës së LDK-së për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, nuk ia vlen të përjashtohet as opsioni i parë. Madje, ky skenar mund të përdoret si justifikim për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe për ta mbajtur larg pushtetit Listën Serbe.
Njëra nga shenjat e këtij përfarimi ishte edhe dje atmosfera relaksuese sportive ndërmjet kandidatit për kryeministër të PDK-së, Bedri Hamza dhe atij të Vetëvendosjes, Albin Kurti, në qytetin e Mitrovicës. Shfaqje të tilla nuk kanë munguar as më herët. Jo vetëm nga takimet në mes të kryetarit të PDK-së me atë të partisë fituese të zgjedhjeve. Por edhe shijimi i kafes në një ditë me diel nga Albin Kurti në njërin nga lokalet e Uran Ismalit (kushdo që e njeh Albin Kurtin duhet ta ketë të qartë, se vetëm rastësi nuk ka qenë) ishte një lloj tejçimi i mesazhit se bizneset e kupolës drejtuese të këtij subjekti politik janë të vlerësuara dhe gëzojnë mbështetje nga i pari i Qeverisë në detyrë. Në anën tjetër, ndonëse jo në mënyrë të hapur, por sipas spekulimeve të brendshme, eksponentë të këtij subjekti politik janë tunduar nga kjo ide se në këtë mënyrë mund t’u ndihmohet financiarisht atyre që po përballen me padrejtësinë speciale. Madje kohë pas kohë drejtues të kësaj partie nuk kanë përjashtuar as nëpër studio televizive koalicionin me Vetëvendosjen në këmbim të pozitës së kryeministrit. Se duke qenë në pushtet kjo parti mund të ketë qasje më shumë në financa në raport me këtë temë nuk e përjashtojë.
Mirëpo, nëse hipotekisht ajo ndodh, po ashtu e legjitimon politikisht dhe moralisht punën e Gjykatës Speciale. Sepse ajo e plotëson shijen e Albin Kurtit për reforma në këtë parti. Dhe për tejkalimin e pengesave të pakapërcyeshme për bashkëpunim. Kam dëgjuar shumë pandehma se Albin Kurti më së paku ka interes për një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, sepse i frikësohet kësaj partie. Prandaj ai më shumë e lakmon atë më Lidhjen Demokratike të Kosovës. Saktësisht është e kundërta.
Për më shumë teza të tilla janë vetëm në funksion të trimërimit falls të eksponentëve të PDK-së, që të inkurajohen për t’u rreshtuar sa me shpejt në krah të tij në mënyrë që ta fundosin përfundimisht këtë parti. Gjatë kësaj kohe nuk është se i pari i Vetëvendosjes ka qëndruar indiferent ndaj qeverisjes së shumë zyrtarëve të sotëm të Partisë Demokratike të Kosovës. Nuk përjashtohet as mundësia që i njëjti të ketë ndërtuar edhe dosje ekonomike për ta. Sepse, Albin Kurti asgjë nuk ia lënë rastësisë. Prandaj, më një armë të tillë në duar ai e ka shumë më lehtë të bashkëpunojë me ta. Sepse informata është pushtet. A nuk kemi qenë ne dëshmitar se si partia më madhe opozitare për katër vjet nuk ishte në gjendje ta denonconte asnjë aferë korruptive të pushtetit aktual. A thua pse?
Në fund të gjithë e dimë së ndërkombëtarisht pengesa kryesore për Kosovën për të avancuar me tutje, mbetet adresimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky entitet ishte pranuar fillimisht në vitin 2013, në kohën kur PDK ishte në pushtet. Dhe është përkeqësuar me Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit nën qeverisjen e Abin Kurtit. Ndërkaq, marrëveshja për parimet e Asociacionit e nënshkruar nga Isa Mustafa në vitin 2015, në shumë nene më nuk është valide, sepse është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Kështu, që varianti i parë dhe ky aktuali, sot e kësaj dite janë obligime ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, të cilat qeveria e re pavarësisht se nga kush drejtohet, ka për obligim t’i adresojë.
Në këtë drejtim, relaksimi sportiv në mes të Bedri Hazmës dhe Albin Kurtit dhe vullneti i kryetarit të PDK-së për ta shfaqur veten si figurë konsensuale në raport me ftesat e liderit të Vetëvendosjes dhe për të mbajtur një qasje apolitike dha jo juridike në raport me krizën e fundit politike, mund te jenë edhe simptoma të afrimit në drejtim të krijimit të kushteve politike me qëllim zgjidhjen e kësaj nyje gordiane.