Ambasada e Italisë në Kosovë organizoi të enjten “Ditën e Dizajnit Italian”, me studentë në Fakultetin e Arkitekturës. Ky aktivitet u konsiderua si një mundësi e mirë për komunitetet krijuese italiane dhe kosovare për shkëmbim të përvojave dhe praktikave të mira në sferën e arkitekturës. E njëjta u mirëprit edhe nga studentët, të cilët konsideruan se dizajni dhe arkitektura italiane është bazë e mirë për avancimin tutje të tyre.
Ambasadori italian në Prishtinë, Antonello de Riu, tha se ky është edicioni i shtatë i dizajnit italian dhe në mesin e mbi 100 vendeve, ku po zhvillohet është edhe kryeqyteti i Kosovës.
Ai tha se tema e edicionit aktual është cilësia që ndriçon, energjia e dizajnit për njerëzit dhe mjedisin.
De Riu: Ky aktivitet ka qëllim të ofrojë një mundësi të mirë për shkëmbim të përvojave
“Fushëveprimi i ditës së dizajnit është të promovojë dizajnin italian, i cili është si një lloj brendi italian dhe ndërkombëtarizim i sektorit strategjik industrial për eksportet tona. Kjo duke iu falënderuar debateve të frytshme që nxiten çdo vit në mbi 100 vende ku zhvillohet kjo ditë. Prishtinë është e përfshirë këtu në radhët e këtyre 100 vendeve, që ka për qëllim të ofrojë një mundësi për komunitetet krijuese italiane dhe vendore për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat më të mira. Tema e edicionit aktual është cilësia që ndriçon, energjia e dizajnit për njerëzit dhe mjedisin”, tha ai.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për të kremtuar bukurinë dhe inovacionin e dizajnit italian.
Rama: Është një mundësi e shkëlqyeshme që kremtojmë bukurinë dhe inovacionin e dizajnit italian
“Ky event na ofron mundësi të shkëlqyeshme që kremtojmë bukurinë dhe inovacionin e dizajnit italian. Të mësojmë si mundemi të shfrytëzojmë fuqinë e dizajnit për të përmirësuar jetën e njerëzve dhe përmirësuar edhe mjedisin. E dina se dizajni italian njihet botërisht për një elegancë, sofistikim dhe cilësi të lartë. Ai është larg më shumë, nuk është vetëm stil dhe trend, por është vet mënyra e jetesës. Është pasqyrim që populli italian e ka për bukurinë, artin dhe kulturën”, theksoi Rama.ambasada italianeNdërkaq, dekanja e Fakultetit, Violeta Nushi, tha se programe si kjo mundësojnë shkëmbim dhe diskutim të praktikave të mira.
Nushi: Kjo platformë mund të ofrojë inspirim për shkëmbim dhe diskutim të praktikave të mira
“Fakulteti i Arkitekturës ka krijuar platformën për përfituesit, profesionistët dhe forumet akademike e cila shërben për takime, shkëmbime, shpërndarje të njohurive dhe përvojave për edukimin arkitektural dhe më tej. Prandaj kjo platformë mund të ofrojë inspirim për shkëmbim dhe diskutim të praktikave të mira dhe përmes provokimit të koncepteve duke artikuluar shqetësime të përbashkëta dhe interesimin në edukimin e fushës arkitekturale”, tha ajo.
Para studentëve foli edhe arkitektja italiane, Matilde Cassani, e cila iu ligjëroi studentëve për rëndësinë e objekteve publike dhe shndërrimin e funksionimit të tyre brenda pak viteve.
Cassani: Do të paraqes një mori punësh që kryesisht kanë të bëjnë me qytetin
“Do të paraqes një mori punësh që kryesisht kanë të bëjnë me qytetin. Ato janë projekte të dizajnin të shkallës së vogël apo ulët, por merren me qytetarinë dhe imazhin e qytetit…Kjo është një temë e cila mund të jetë pjesë që do të mbulojë gjithë projektet që do t’i paraqes sot. Ato janë projekte kërkimore dhe kanë ardhur nga universiteti dhe doktoratura ime”, tha ajo.
Në anën tjetër, aktivitetin e sotëm e konsideroi shumë të rëndësishëm studenti i vitit të tretë në Fakultetin e Arkitekturës, Zog Limani.
Limani: Ligjërata ishte e rëndësishme
“Kjo ligjëratë ishte shumë e rëndësishme. Pak a shumë mundem me pa mënyrat e përshtatjet të objekteve fetare dhe mënyra se si objektet munden me u ndërru funksionin brenda pak viteve. Sipas edhe ligjërueses Matilda mundem me kuptu se ndonjëherë hapësirat nuk shfrytëzohen ashtu si ne mendojmë se shfrytëzohen, por shfrytëzohen edhe më mirë. Kjo është diçka që ne si arkitektë pas kësaj ligjëratë kemi më përkushtu shumë që me i observu më së miri hapësirat tona publike por edhe hapësirat të tjera private”, tha ai.
Kurse, studenti tjetër, Diell Gashi, si një dashamirës i arkitekturës italiane, tha se e njëjta ka qenë një prej bazave që ka nisur të studioi arkitekturën.
Gashi: Arkitektura italiane ka qenë një prej bazave kur jam nis
“Arkitektura italiane ka qenë një prej bazave kur jam nis, pasi është arkitektura që më pëlqen më së shumti. Ligjërata ka qenë mjaft e rëndësishme, ka pas disa pjesë me celebrimin disa pjesë se si me shiju arkitekturën, apo si njerëzit e zakonshëm ndjejnë arkitekturën”, tha ai.
Dita e Dizajnit Italian është edicion tematik e lansuar nga Ministria e Punëve të Jashtme italiane në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Përbëhet nga një program i gjerë ngjarjesh promovuese në mbarë botën, krijuar nga rrjeti i Ambasadave, Konsullatave, Instituteve italiane të Kulturës dhe Zyrave të Tregtisë: çdo vit, sidomos për këtë rast, mbi njëqind testimonial bëhen rrëfyes të dizajnit dhe krijimtarisë së vendit./TV Arbëria