Shkruan: Afrim Kasolli
Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, shteti i Izraelit e ka realizuar një sulm të befasishëm ushtarak mbi Iranin. Cak i këtij ataku kanë qenë kryesisht godinat militare, punishtet bërthamore, drejtues të Gardës Revolucionare Islamike si dhe shkencëtarë që ishin duke punuar në programin bërthamor të këtij shteti. Ndërkohë, Irani ka lansuar si kundërpërgjigje një kundërsulm me raketa dhe dronë, kundër Izraelit, por pa arritur të prekin territorin e brendshëm të këtij të fundit.
Një zhvillim i tillë i pa precedentë ka ngritur alarmin mbi një eskalim të mundshëm të situatës së sigurisë në Lindje të Mesme me implikime globale. Sidomos, kur marrim parasysh faktin, se sipas burimeve të CNN, ku nuk është një sulm një ditor, por me mundësi që të përsëritet. Madje në një prononcim për mediave, pak pas operacionit, kryeministri izraelit, Benjamin Natanjahu, ka deklaruar se ai nuk do të jetë i limituar vetëm në shkatërrimin e kapaciteteve bërthamore të Iranit, të cilat konsiderohen si rrezik ekzistencial për shtetin hebre, por ka për qëllim edhe ndryshimin e regjimit në atë vend. Në mënyrë që të hapet rruga e krijimit të një rendi të ri gjeopolitik në Lindje të Mesme.
Sepse, pa këtë ndryshim, rajoni nuk mund të gjejë qetësi dhe paqe. Deri më tani ka pohuar, kryeministri izraelit, shteti i tij i ka goditur vetëm këmbët e Oktapodit, sikur se Hezbollahun në Liban, Hamasin në Rripin e Gazës dhe grupin rebel Huthi ne Jemen etj, por ka ardhur koha që të goditet koka e tij e cila gjendet në Teheran. Sepse pa çmontimin e këtij të fundit, nuk mund të sigurohet as fitorja përfundimtare as mbi të parat. Sidoqoftë, ky sulm ka ndodhur në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani ishin përfshirë në një proces të ri negociatash me qëllim sigurimin e një marrëveshje të re bërthamore në mes të dy vendeve. Prandaj, me të drejtë analistë të ndryshëm kanë ngritur pandehemat se a mos ky sulm i Izraelit pikërisht në këtë moment, ka pasur për qëllim ta pamundësojë një opsion të tillë.
Kërkimin e një zgjidhje politike për ambiciet bërthamore të Iranit ishin duke e kërkuar edhe shtetet arabe. Madje çuditërisht gjatë vizitës së fundit në Lindje të Mesme, presidenti Trump e kishte anashkaluar shtetin e Izraelit, duke i dhënë kështu një goditje narracionit të kryeministrit Benjamin Neatnjahu, se është njëri nga liderët e preferuar të Uashingtonit. Për më shumë sipas presidentit të SHBA-ve, diplomacia e shtetit të tij duhet të distancohet nga iluzionet e kaluara për ndryshim të regjimeve në shumë vende të botës nën emrin e importimit të demokracisë e liberalizimit. SHBA-të gjatë dekadave të fundit kanë shpenzuar me triliona dollarë në funksion të tezave të shtet-ndërtimit. Mirëpo bilanci ka qenë kaotik. Sepse paqja, progresi dhe zhvillimi nuk mund të sigurohen pa i respektuar traditat e pasura historike të kulturore të kësaj botë, ka pohuar ndër të tjera, presidenti Trump. Në këtë mënyrë, duket sikur drejtuesi i Shtëpisë së Bardhë, e ka përçuar një mesazh të qartë edhe te regjimi në Tehran. Se synimi i tij, nuk është ndryshimi i këtij regjimi, por sigurimi që të sillet konform interesave strategjike amerikane. Rezultat ky që mund ta ketë alarmuar qeverinë e Izraelit. Sepse një akord i mundshëm në mes të Uashingtonit dhe Teheranit filloi të shihej si interes strategjik i të dy palëve.
E para pas përvojave tragjike të luftërave në Afganistan dhe Irak, shihej qartë se Amerika nuk është e interesuar edhe për një konflikt të ri. Kurse, po ashtu edhe Irani, pas humbjeve tokësore të disa prej forcave të tij proxy në rajon si dhe rrënimit ekonomik për shkak të sanksioneve të gjata ndërkombëtare mbi këtë shtet, kishte dhënë shenja se mund të pajtohej për një zgjidhje diplomatike. Prandaj edhe duke marrë këtë dobësi të shumanshme të Iranit, presidenti Trump u tundua në kërkim të një solucioni diplomatik. Të këtij qëndrimi ishin edhe shtetet arabe. Bie fjala të njëjtat së bashku me Izraelin e kishin denoncuar me terma më të ashpër marrëveshjen e ish-presidentit Obama me Iranin. Por kohën e fundit ato i kanë relaksuar raportet ndërmjet vete. Madje sponsori diplomatik i afrimit të Arabisë Saudite dhe Iranit ishte Kina. Shenjë kjo e shtrirjes së ndikimit të këtij shteti në Lindje të Mesme, diçka e papranueshme për SHBA-të. Megjithatë, mbase për të njëjtat arsyeje të sipër cekura që SHBA-të kërkuan një zgjidhje paqësore, Izraeli ka kalkuluar se duhet provuar një zgjidhje ushtarake në raport me Iranin.
Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, këtë aksion e ka quajtur unilateral. Kurse, presidenti Trump, i ka bërë thirrje Iranit të rikthehet në tavolinën e bisedimeve nëse dëshiron që gjendje të mos përkeqësohet edhe me tej.
A do të shëjojnë zhvillimet e fundit fillimin e një rendi të ri gjeopolitik në Lindje të Mesme, apo edhe një kaosi më të madh, mbetet të shihet.