Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Arsim Jashari, në Arb Debat: “Kosova nuk mund të festojë plotësisht pa krerët e UÇK-së”
Në ditën e Çlirimit të Kosovës, 26 vite pas, Arsim Jashari, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili ishte vetëm 19 vjeç kur mori armën në dorë dhe luftoi kundër regjimit serb, ka folur për realitetin e sotëm të Kosovës në një intervistë të dhënë në “Arb Debat” me Rid Berishën. Jashari ka shprehur shqetësimin se Kosova nuk mund të festojë plotësisht deri sa krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të gjenden ende prapa grilave.
“Është një urim i cungum për arsye se ende sot po kalojnë pesë vite krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që gjenden prapa grilave padrejtësisht. Dhe kjo nuk po na e jep motivim për me festu ashtu sic e meriton Kosova me festu. Por shpresojmë vitin e ardhshëm ta festojmë së bashku ata pran familjes dhe para nesh”, ka thënë Jashari në Arb Debat.
Jashari: Nuk kemi besu që do të kthehemi gjallë nga lufta
Jashari ka rrëfyer për përvojën e tij si një 19-vjeçar në luftë, duke treguar se shumë pak luftëtarë kanë besuar se do të kthehen gjallë.
“Ne jemi kthy nga vija e frontit tash 26 vite, kthehemi në shtëpi. Fillimisht nuk e kemi besu që do të kthehemi kurr në familjet tona, shumë pak ushtarë e kanë besu që do të shpëtojmë. Kur jemi kthyer, çdo gjë ka qenë e vdekur përpos lirisë.”
Ai gjithashtu ka ndarë një kujtim nga rikthimi në shtëpi, duke treguar vështirësitë që ka kaluar pas luftës.
“Më kujtohet një detaj kur jemi kthyer, kam mundu me i hap derën kryesore, ishte mbyll, bari ishte ba 2 metra, ishin blloku dyert,” ka thënë Jashari.
“Fshati im nga vi unë, fshati Banull ka pas më shumë se 30 luftëtarë lirie, djem me pushkë që kemi qenë në zona të ndryshme. Edhe familjet e tona kanë qenë obligative të parat me u largu për arsye se kanë pas informata dhe kanë mujt për faj tonin kanë mujt shumë familje, edhe një lagje komplet me u masakru.”
Ish luftëtari i UÇK-së: Masakra e familjes Jashari ka qenë një goditje për neve, gjeneratat e reja…”
Jashari ka folur gjithashtu për vendimin e tij që të luftojë dhe për goditjen që ka përjetuar pas masakrës së familjes Jashari.
“Masakra e familjes Jashari, familjes legjendare, ajo ka qenë një goditje për neve gjeneratat e reja, e kemi pa që nuk ka rrugëdalje tjetër.”
Jashari: “Veteranët janë duke u trajtuar si kategori sociale, është e turpshme”
Ish-luftëtari ka kritikuar mënyrën se si po trajtohen veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ata po konsiderohen si kategori sociale, dhe kjo është e papranueshme për të.
“Veteranët e luftës janë duke i llogaritur si kategori sociale. Kjo është e thimbshme, ky shtet u ndërtua falë sakrificës sublime të luftëtarëve të lirisë. Nuk guxojnë veteranët e luftës me u llogaritë kategori sociale. Është e turpshme. Kjo shoqëri dhe ky shtet më shumë është duke ju ba dhimbje veteranëve të luftës se plagët që i kanë nga lufta. Më shumë është duke ju shkaktuar dhimbje kjo shoqëri duke u mundu me e anashkalu të vërtetën.”
Kosova ende pa veprime për mbrojtjen e vlerave të luftës
Jashari ka shprehur shqetësimin se shteti i Kosovës ende nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe për sigurimin e një ligji që do të mbrojë këtë trashëgimi të shenjtë.
“Ky shtet, kjo Kosovë, ende nuk e ka guximin me i marrë hapat konkret për me e formu një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës.” /TV Arbëria