Emrush Thaçi, ish-drejtor i burgjeve të Kosovës, ka komentuar arrestimin e fundit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe.
Thaçi shprehu shqetësimin e thellë për këtë arrestim, theksoi se Spahiu është një djalë shembullor, nga një familje e ndershme dhe me kontribut në institucionet e Kosovës.
“Me të marrë informacionin që është arrestuar një polic, më thanë t; drejtën mbiemri Spahiu është gjithandej Kosovës, por më vonë e kuptova që është bashkëvendasi im. Është një djalë shumë i mirë, i një familje shumë të mirë. Edhe prindi i tij është në Policinë e Kosovës,” deklaroi ai.
Ish-drejtori i burgjeve e konsideron arrestimin të pabazë dhe të padrejtë, duke e lidhur atë me përpjekjet e Serbisë për të ndërlidhur shqiptarët me ngjarjet e armatosura në Banjskë.
“Na erdhi shumë keq, sepse arrestimet në Serbi po ndodhin, fatkeqësisht si rezultat i asgjësë. Tentativa është për të barazuar disa çështje e rrethana që nuk qëndrojnë. Ky djalë është arrestuar pa bazë ligjore, dhe që nga momenti i arrestimit kemi përcjellë çdo informacion. Ajo që pamë është se tendenca është që të akuzohet si pjesë e asaj që ndodhi në Banjskë para dy vitesh, që në fakt nuk ka asnjë lidhje,” shtoi Thaçi në FIVE.
Ai theksoi se rasti është dëshmi e rrezikut të vazhdueshëm që i kanoset qytetarëve të Kosovës kur udhëtojnë apo kalojnë nëpër Serbi.
“Është pak e çuditshme që një gjë e tillë ndodh në mes të Evropës. E dimë që raporti ynë me Serbinë është i brishtë – ata nuk e njohin shtetin tonë, as institucionet, madje Policinë dhe Ushtrinë e Kosovës i konsiderojnë si të uniformuar ilegalisht nga institucionet e Kosovës,” përfundoi ai.