14:53 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > ​Kryeziu: Sulmi terrorist në Banjska ka qenë ushtarak dhe i organizuar mirë

​Kryeziu: Sulmi terrorist në Banjska ka qenë ushtarak dhe i organizuar mirë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ka vazhduar gjykimi ndaj tre akuzuarit për sulmin terrorist Banjska Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.

Gjykimi sot ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarë të Prokurorisë Speciale, zyrtarit policor të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë Mirsad Kryeziu i cili është i dëmtuar nga ky sulm.

Edhe sot në gjykatore tre të akuzuarit Toliq, Maksimoviq dhe Spasojeviq u sollën nën pranga dhe me siguri të lartë nga zyrtarët korrektues. Fillimisht për dëshmitarin Kryeziu pyetje parashtroi prokurori, Naim Abazi, raporton KosovaPress.

Udhëheqësi i ekipit të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë, Mirsad Kryeziu tregoi se gjatë një patrullimi të zakonshëm, teksa kishin arritur në Banjska të Zveçanit kishin parë dy kamionë që kishin bllokuar urën e fshatit, dhe më pas e kishin njoftuar dhomën komanduese. Nuk kishte shkuar shumë kohë dhe me të njoftuar dhomën komanduese ishin mbështetur edhe me dy patrulla policore të pikës policore në Zveçan, ku kishte ardhur edhe rreshteri tashmë i ndjerë Afrim Bunjaku.

Kryeziu tha se kishte vazhduar t’i ekzaminojnë vendngjarjen dhe kamioni më afër urës e kishte derën e hapur, derisa ai më në brendi të fshatit nuk kishte dyer të hapura.

Dëshmitari tregoi se pasi kishte hipur në kamionë kishte ndodhur shpërthimi i parë nga i cili mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Zyrtari policor tregon se në atë momentin rreshterin Bunjaku e kishte parë të gjakosur dhe plagën më të madhe tashmë i ndjeri e kishte pasur në fyt.

Kryeziu tha se mezi kishin arritur ta vendosnin në veturë rreshterin Bunjaku për të vazhduar drejt spitalit të Mitrovicës ku edhe ishte konfirmuar vdekja e tij.

“Kam hipur në kamionë dhe e kam hapur derën, posa e kam hapur derën në ato momente kam dëgjuar një shpërthim, një detonim dhe kanë filluar gjuajtjet në drejtim të pozicioneve tona. Unë për një moment jam larguar nga kamioni dhe jam nisur në drejtim të policëve ku ata ishin të vendosur dhe në atë moment gjatë shkuarës aty kam vërejtur se nga ai detonim njëri nga pjesëtarët tanë që në fakt ishte Afrim Bunjaku ishte i shtrirë për tokë dhe ishte i mbuluar pothuajse me gjak sepse detonimet që kishin bërë nga grupi tashmë terrorist mund ta quaj ai ishte plagosur në fyt, plaga më e madhe e tij ishte në fyt dhe kishte gjakderdhje të madhe. Unë iu afrova afër ishte e pamundur që të bëjë një ndalje të gjakderdhje apo të jepja një ndihmë sepse në drejtimin tonë ishin gjuajtje të pareshtura të kalibrave të ndryshme. E kam tërhequr Afrimin nga vija e zjarrit, por jo edhe aq shumë dhe kam filluar të shtyj në drejtim të tyre”, tha Kryeziu.

Polici i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejt thotë se pozita e tyre ishte shumë e pafavorshme në krahasim me sulmuesit pasi ndodheshin në dritë. I pyetur nga prokurori për intensitetin e sulmit të 23 shtatorit në Banjskë, zyrtari policor tha se ky sulm kishte qenë i organizuar mirë dhe ishte ushtarak.

Ai thotë se ndonëse errësira iu pamundësonte identifikimin e personave, nga pozita ku ishin panë persona të uniformuar disa me maska e disa pa maska.

Nga përvoja që ka si policë tash e 20 vjet dhe nga lufta, Kryeziu tha se armët që u përdorën në natën kritike ishin artileri e rëndë.

“Intensiteti ka qenë jashtëzakonisht i madh edhe një intensitet pothuajse mund ta quajmë ta quajmë tamam ushtarake dhe e organizuar mirë për këtë sulm….40.40 ishte një organizim jashtëzakonisht mirë i strukturuar dhe i organizuar mirë për shkak të errësirës që ka qenë unë kam vërejtur njerëz të uniformuar dhe të armatosur shumë mirë, të armatosur rëndë, disa me maska e disa pa maska, mirëpo identifikimin e tyre nuk mund të bëhet për arsye të errësirës dhe njerëzit që ishin me uniforma ata duken të gjithë gati se të njëjtë… Ne jemi goditur nga huls krahu, tromblona, dhe gjitha armët që sulmohen dhe përdoren nga një organizim që këta unë e them me plotë besim janë të organizuara vetëm, strukturat ushtarake“, tha ai.

Para trupit gjykues Kryeziu ka treguar se ka marrë dëmtime trupore gjatë tërheqjes së rreshterit Afrim Bunjaku i cili mbeti i vrarë në këtë sulm terrorist.

“Gjatë sulmit mes datës 23-24 shtator dëmtimet e mija janë kanë gjatë tërheqjes së rreshterit, Afrim Bunjakut heroit të Kosovës. Për shkak të sulmeve që janë bërë nga grupi që ne jemi sulmuar në atë kohë. Më saktësisht dëmtimet që kam pasur kanë qenë në gju gjatë tërheqjes dhe normalisht edhe traumat psikike siç janë gjatë breshërive të armëve dhe sulmeve”, tha ai.

Ndër, të tjerash në gjykatoren e Themelores, zyrtari policor tregoi se me vete ai dhe dy kolegët e tij, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri kishin armë të gjata, dhe revole, jelek antiplumb dhe taktik, ndërsa udhëtonin me veturë të pa blinduar.

Zyrtari policor thotë se këtij sulmi terrorist i kanë paraprirë edhe disa sulme të mëhershme ndaj zyrtarëve policor në atë pjesë të Kosovës.

“Qëllimi i sulmuesve ishte sipas mendimit tim sepse nuk është që ka ndodhur hera e parë, gjatë gjithë kohës ne sa qëndronin në pjesën veriore të Mitrovicës nuk ishim të dëshiruar nga po të njëjtit pjesëtarë të cilët janë të organizuar për gjëra të tilla. Dhe mund të them lirisht se ka pasur edhe sulme tjera që janë sulmuar patrullat e policisë gjatë kryerjes së detyrave të tyre se pse është ai pozicion këtë e theksoj edhe njëherë sepse ky grup ka qenë i strukturar jashtëzakonisht mirë dhe i dirigjuar mirë nga struktura ushtarake. Duke përdorur si mburojë manastirin (në Banjskë) që ishin edhe pelegrinë në manastir atë ditë duke i përdorur edhe ata si mbrojturës duke u pozicionuar në pozita të favorshme dhe të mira për sulmuesin dhe ishte e qartë se ata kishin vende të lira që ata në mos suksesin e tyre të jo arritur fatmirësisht kanë pasur edhe një rrugë për t’u larguar”, u shpreh zyrtari policor.

Pas përfundimit të pyetjeve nga Prokuroria Speciale, për zyrtarin policor, Mirsad Kryeziu pyetje patën edhe avokatët e tre të akuzuarve.

Pyetje për natën kritike dhe sulmin në Banjskë pati edhe kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti. Ai u interesua të di se a ka pas ndonjë indikacion për atë sulm, kryeziu tha se në ditën dhe natën kritike gjithçka ka qenë normale, përveç se nuk kishin takuar qytetarë siç ndodh rëndom.

“Nuk ka pasur asnjë indikacion lidhjen me ndonjë tubim apo ndonjë ka qenë gjithçka e qetë dhe gjithçka normale dhe ne kemi vazhduar patrullimin rutinor siç kemi bërë ditëve më herët… Hoti: A jeni takuar si njësitë me ndonjë qytetarë si ka konsistuar puna juaj… Kryeziu: Para sulmeve kemi pas kontakte me qytetarë që jetonin në Banjska kanë ndenjur me neve ka treguar disa probleme ne kemi biseduar edhe tash e tutje vazhdojmë me pas bashkëbisedim me qytetarët që jetojnë aty ata ndihen të sigurt me pranin tonë”, tha ai.

Në seancën e nesërme në rastin Banjska, do të dëgjohet dëshmitari Elez Peci në sesionin e paradites, për të vazhduar me dëshmitarin tjetër Avni Shala pasdite.

Në seancën gjyqësore për sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në shtator 2023, të hënën e kaluar dëshmi kanë dhënë edhe zyrtari policor në Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.

42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati.