Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk e sheh urgjencë konstituimin e Kuvendit. Sipas saj, qëllimi final i kësaj partie është që të mos e lëshojë ekzekutivin.
Lushaku-Sadriu pas dështimit për herë të tridhjetë të konstituimit të Kuvendit tha se qeveria gjithëpërfshirëse do ta nxirrte vendin nga ngërçi politik.
“Një situatë jo serioze ku partia e parë nuk sheh ndonjë urgjencë për ta konsoliduar Kuvendin, për shkak se ka qëllim final që të mos e lëshojë as ekzekutivin. Ua kujtoj që 17 deputetë kanë dhënë betimin dhe njëkohësisht janë në zyrat e Qeverisë së Kosovës. Dhe duke mos pasur dëshirë që të arrijnë tek një rezultat në kuvend, ata po arrijnë që të marrin vendime jo kushtetuese dhe jo ligjore në Qeverinë e Kosovës. Si LDK e shprehim shqetësimin tonë që kjo situatë politike po manifestohet me një krizë që po reflektohet në shtrenjtimin e çmimeve, inflacionin”, deklaroi ajo.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu tha se nesër do të shpaloset plani 15-pikërish për qeverinë tranzicionale.
“Për qeverinë gjithëpërfshirëse, më lejoni të ju them që nesër, Lidhja Demokratike e Kosovës do të shpalosë një plan prej 15 pikash, ku do të elaborojë idenë dhe prioritetet që do t’i shihnim si pjesë e kësaj qeverie për një periudhë të caktuar”, u shpreh ajo.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve që të angazhohen për lirimin e ish-zyrtarit policor, Arbnor Spahiut, i cili është ndaluar nga autoritet serbe.
“Kemi parë një marrje peng të një qytetari, ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiut, dhe kemi parë njëkohësisht që nuk ka veprime zyrtare shtetërore për t’u angazhuar për lirimin e tij sa më parë. Në emër të LDK-së t’i bëjë thirrje të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen për lirimin e menjëhershëm të ish-zyrtarit tonë policor”, përfundoi ajo.
Kuvendi i ri nuk ka arritur të konstituohet as pas tentimit të 30-të, të mërkurën më 11 qershor.
Në vazhdimin e seancës konstituive – që ka nisur më 15 prill – të pranishëm sot ishin 93 deputetë.
Sërish nuk arriti të votohet formimi i një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit – propozim ky i Lëvizjes Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa. /kp