Lidhja e Bizneseve të Kosovës, përmes një komunikate për media ka paralajmëruar krizë të thellë për bizneset dhe ekonominë nga liberalizimi i tregut të energjisë, duke shprehur po ashtu edhe shqetësimin e saj për pasojat ‘‘katastrofale’’ që shkaktohen nga tregu i lirë i energjisë.
Nga LBK është deklaruar edhe se bizneset po dëmtohen rëndë dhe se po rrezikohet edhe falimentimi i tyre me humbje ‘‘masive të vendeve të punës’’.
‘‘Ky është vetëm fillimi i një vale të madhe humbjesh që rrezikon të përhapet në gjithë sektorin privat, duke minuar eksportet “Made in Kosova” dhe duke dëmtuar rëndë praninë e produkteve tona në tregjet evropiane’’, thuhet në komunikatë.
Nga LBK është bërë thirrje sërish ndaj ZRRE-së që të ndërpritet procesi i liberalizimit ‘‘derisa të përmbushen kushtet thelbësore për një treg funksional dhe konkurrues’’.