21:50 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Los Anxhelos në flakë, protesta të dhunshme pas dërgimit të agjentëve federalë për emigrantët

Los Anxhelos në flakë, protesta të dhunshme pas dërgimit të agjentëve federalë për emigrantët

Qyteti i Los Anxhelosit është përfshirë nga protesta të dhunshme pas vendimit të Presidentit Donald Trump për të dërguar agjentë të imigracionit dhe më pas 2,000 trupa të Gardës Kombëtare për të arrestuar emigrantë të paautorizuar. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e ka dënuar ashpër këtë veprim, duke e quajtur atë “të paligjshëm dhe imoral”.

Ngjarjet kulmuan gjatë fundjavës, duke sjellë përplasje mes protestuesve dhe forcave federale dhe lokale.

E premte, 6 qershor- bastisje dhe përplasjet e para

Zyrtarët e Zbatimit të Doganave të Imigracionit (ICE) kryen bastisje në zona të Los Anxhelosit me popullsi të madhe latino-amerikane. Një incident i veçantë ndodhi jashtë një magazine veshjesh në Lagjen e Modës pranë qendrës së qytetit, ku protestuesit hodhën sende drejt agjentëve dhe u përpoqën të bllokonin automjetet federale.

Grafite spërkatën ndërtesat dhe objekte u hodhën drejt policisë, çka çoi në shpalljen e një tubimi të paligjshëm. ICE raportoi se 44 emigrantë të paautorizuar u arrestuan në një operacion të vetëm në një vend pune atë ditë, ndërsa 77 të tjerë u arrestuan në zonën e madhe të Los Anxhelosit.

Mes të arrestuarve ishte edhe David Huerta, president i degës së Kalifornisë të Unionit Ndërkombëtar të Punonjësve të Shërbimeve (SEIU). Zyrtarët federalë thanë se Huerta “pengoi qëllimisht” agjentët duke bllokuar automjetin e tyre, ndërsa sindikata këmbëngul se ai po “vëzhgonte në mënyrë paqësore” operacionin.

E shtunë, 7 qershor- ZjarrI i përhapur dhe përgjigja federale

Në mëngjesin e së shtunës, një dyqan pajisjesh në lagjen Paramount, kryesisht latino-amerikane, u bë qendra e protestave masive të imigracionit. Thashethemet për arrestime të punëtorëve në këtë zonë, të cilat më vonë Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së i quajti dezinformim, nxitën zemërimin e komunitetit.

Në përgjigje të protestave, Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit bëri 29 arrestime, pothuajse të gjitha për mosshpërndarje. Rreth orës 18:00 me orën lokale, Presidenti Trump ndërmori një hap të paprecedentë duke përdorur autoritetin e tij për të thirrur 2,000 anëtarë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë, një veprim që zakonisht ndërmerret nga guvernatori i shtetit.

E diel, 8 qershor- Garda Kombëtare në rrugë

Pak para orës 07:00 të dielën, grupi i parë i trupave të Gardës Kombëtare filloi të mbërrinte në qytet. Ata u vendosën jashtë qendrës së paraburgimit Metropolitan në qendër të qytetit, ku dërgohen emigrantët e paligjshëm pas ndalimit.

Trupat ruajtën gjithashtu një park biznesi në Paramount dhe ndërtesa të tjera federale në Los Anxhelos. Ata parkuan automjete Humvee, duke bllokuar zona dhe u përballën me protestuesit, të cilët hidhnin fyerje dhe valëvitnin flamuj dhe banderola meksikane.

Rreth orës 10:30, të paktën 300 anëtarë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë ishin vendosur në tre pika kyçe në zonën e Los Anxhelosit, ndërsa 500 marinsa janë në statusin “të përgatitur për t’u vendosur” në një bazë rreth 230 km në lindje të qytetit, transmeton RTSH.

Situata mbetet e tensionuar, me qytetin në gjendje gatishmërie dhe tensionet politike mes administratës federale dhe shtetit të Kalifornisë që thellohen.KP