Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në një diskutim me temën “Siguria e grave dhe fëmijëve gjatë luftës”, ku ka folur rreth krimeve të luftës, me fokus të veçantë dhunën seksuale, zhvendosjet e detyruara, vrasjet dhe zhdukjet me dhunë.
“Traumat afatgjata janë plagë që kërkojnë përgjigje të gjithanshme – ligjore, institucionale dhe shoqërore,” tha ministrja.
Ajo theksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për avancimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, duke veçuar miratimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale.
“Ky dokument historik synon të adresojë trashëgiminë e luftës dhe të mbështesë viktimat, me fokus të veçantë gratë dhe rininë,” deklaroi Haxhiu, duke shtuar se strategjia vendos theks të veçantë tek mbrojtja dhe fuqizimi i grave, përfshirë edhe mbështetjen për të mbijetuarat e dhunës seksuale.
Sipas saj, një nga elementët më të rëndësishëm të strategjisë është përfshirja e vetë viktimave, të mbijetuarave dhe organizatave të shoqërisë civile, me qëllim që politikat të jenë të ndjeshme ndaj nevojave të tyre reale.
“Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re dhe për të qenë zëra aktivë në përmirësimin e politikave,” shtoi ajo.
Në fund, Haxhiu theksoi mungesën e mbështetjes psikologjike për fëmijët e prekur nga lufta pas përfundimit të saj, duke nënvizuar se në kuadër të strategjisë janë paraparë veprime të shumta që fokusohen tek rinia:
“Për ne është jetike që brezi i ri të mos bartë plagët e së kaluarës”. TVARBËRIA