Nga Agron Hoti
Të mira apo të këqija, këto biznese kemi, pra këto biznese që mbushin buxhetin e Kosovës. Nga po ky buxhet i marrin pagat deputetët, ministrat, kryeministrat, kryetarët dhe gjithë administrata publike në qeveri, komuna dhe gjyqësor. Kur po është puna te pagat, bizneset po janë të mira, ndaj politikanët s’po u gjejnë kurrfarë kajde parave, po i marrin ato me shpejtësi drite, pa e përmendur këtu dhe vjedhjen e tyre. Kur po është puna te votat, po i shajnë bizneset.
Pavarësisht izolimit të Kosovës nga Evropa, pengesave të vazhdueshme të Serbisë dhe pabarazisë në konkurrencë si askush tjetër në rajon, bizneset e Kosovës për këto 26 vite çlirim megjithatë ia kanë dalë të maturohen disi, pra të jenë në gjendje të ekzistojnë dhe tashmë edhe të konkurrojnë.
Por, çfarë ndodhi tash? Në vend që ato biznese që kemi të ndihmohen me ç’kemi duke ua ulur çmimin e energjisë, shteti i Kosovës bëri tërësisht të kundërtën, ua rriti çmimin e energjisë. Kriza e rëndë politike e shoqëruar me sanksione kundër Kosovës nga fondet e BE-së dhe ndalje të fondeve të SHBA-së vetëm sa ua ka rënduar jetën bizneseve. Deklaratat pothuajse të përditshme të papërgjegjshme të politikës sonë, se Serbia mund ta sulmojë Kosovën në çdo moment, kanë zbythur edhe ata pak investorë të jashtëm.
E tash paralajmërimet janë vërtetë të frikshme. Pritet valë e re shpopullimi i Kosovës. Sepse rritja e çmimit të energjisë për bizneset do t’i detyrojë ato t’i rrisin çmimet e produkteve, qytetarët pastaj s’do të mund të blejnë produkte, sepse do të bjerë fuqia blerëse, bizneset pastaj do të mbyllen, buxheti i shtetit do të zvogëlohet, papunësia do të rritet, problemet socio-ekonomike do të rriten dhe të gjitha këto automatikisht do ta nxisin frikshëm shpopullimin e Kosovës si ëndërr të Serbisë dhe Rusisë me ca aleatë të tyre evropianë që po na e marrin të gatshme edhe atë pak rini dhe profesionistë që na kanë ngelur.