13:19 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kur bota ndez motorët e së ardhmes, Kosova ngec në të tashmen

Kur bota ndez motorët e së ardhmes, Kosova ngec në të tashmen

Motori me djegie hidrogjeni i certifikuar në 11 shtete evropiane – ndërsa Kosova ende pa institucione funksionale. A jemi pjesë e garës globale për zhvillim?

Nga: Bahri Beqiri

Bota po ecën përpara me hapa të shpejtë. Inovacioni teknologjik nuk është më luks, por nevojë strategjike. Kohët e fundit, Britania e Madhe ka shënuar një arritje që vlen më shumë se çdo samit apo deklaratë politike: kompania JCB ka zhvilluar dhe certifikuar për përdorim komercial një motor me djegie hidrogjeni, tashmë i miratuar nga 11 autoritete evropiane – përfshirë Gjermaninë, Francën, Zvicrën dhe Holandën.

Ky motor nuk është një ide abstrakte nga laboratorët e universitetit – është produkt konkret i 3 viteve punë nga 150 inxhinierë, me investim mbi 100 milionë paund. Janë testuar më shumë se 130 makineri ndërtimi, dhe rezultati është i qartë: emetime zero të karbonit, pa nevojë për elektrifikim total të pajisjeve.

Ky është më shumë se një sukses teknik – është një sinjal politik dhe ekonomik për drejtimin që po marrin shtetet që e shohin inovacionin dhe tranzicionin e gjelbër si thelb të strategjisë kombëtare.

Po Kosova?

Në anën tjetër të kontinentit, Kosova ende nuk ka institucione të dala nga zgjedhjet. Jemi futur në një spirale të pafund krizash politike, ku normaliteti është bërë përjashtim dhe zgjedhjet janë shtyrë në kufi të pafundësisë. Fokusimi është në pazare politike, përplasje brenda institucioneve, e jo në zhvillim ekonomik, inovacion apo reforma.

Shqipëria, pavarësisht sfidave, po avancon drejt integrimit evropian. Ka hapur kapituj teknikë, është pjesë e diskutimeve për tranzicionin e gjelbër dhe digjital. Ndërkohë, Kosova po stagnon në një debat të brendshëm që nuk i flet as ekonomisë, as teknologjisë, as të ardhmes.

Pyetjet që duhen bërë ?

Ku janë strategjitë për politikë industriale moderne?
Ku janë nismat për arsim profesional të lidhur me tregun?
Ku është energjia alternative, tranzicioni drejt burimeve të ripërtëritshme?
Ku është vizioni për transformimin digjital të shtetit dhe shoqërisë?

Nuk mund të ndërtohet e ardhmja me lajme për bllokada, mocione e suspendime. Shtetndërtimi nuk është vetëm procedurë politike – është proces shoqëror, ekonomik dhe teknologjik. Pa zhvillim, shteti bëhet një flamur i varur në një ndërtesë administrative, jo një projekt për qytetarët.

Ende ka kohë – por jo shumë!

Kosova ka kapacitete njerëzore, rini të aftë, diasporë të fuqishme, por nuk ka luksin të presë pafund për konsensus politik. As bota nuk do të ndalet të na presë.

Britania ndezi motorin me hidrogjen.
Ne ende s’e kemi ndezur motorin Institucional te vendimmarrjes.

Nëse nuk e bëjmë tani, rruga për te e ardhmja do të bëhet çdo ditë e më e largët – dhe ndoshta një ditë, e paarritshme.