Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës vazhdon të mbetet e pa konstituuar për më shumë se një muaj e gjysmë, por deputetët marrin paga për punën për më pak se dy orë efektive dhe pa asnjë vendim të marrë në vazhdimet e seancës konstituive të cilës nuk i dihet fundi.
Sot dështoi për herë të njëzet e katërt seanca konstituive, e cila ngjashëm si herët e tjera zgjati rreth tre minuta.
Në total, për një muaj e gjysmë shifra që deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë përbën mbi treqind mijë euro.
Hulumtuesi pranë Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli ka shkruar në Facebook, se deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës erdhën sot në seancë me nga dy mijë e gjashtëqind euro më shumë si kompensim për njëzet e katër dështime radhazi.
“Kuvendi i bllokuar qe një muaj e gjysmë. Por për deputetët, kjo nuk është problem, sepse sot erdhën në seancë me nga 2.600 euro më shumë në xhirollogari. Si kompensim për… 24 dështime radhazi. Pra, në total, mbi 300 mijë euro paga nga taksat e qytetarëve për më pak se dy orë punë efektive, e pa asnjë vendim të marrë”, shkroi Cakolli.
Deputetët e zgjedhur sot u pyetën nëse i meritojnë pagat që po marrin duke mos marrë ende asnjë vendim.
Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se ekzekutimi i pagës është çështje ligjore dhe procedurale pasi ai nuk vendos për pagën.
Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se të tjerët po mendojnë se po grumbullohen mjete për shkak të mëditjeve, por sipas tij e vërteta nuk qëndron ashtu. Ai tregoi se në maj ka marrë një mijë e pesëqind euro, për çka tha se pagën që duhet arsyetuar me veprime.
Ndërsa, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila po tenton tash e më shumë se një muaj e gjysmë të merr postin e kryetares pa i pasur votat, u shpreh se në muajin maj është paguar si ministre e Drejtësisë.
Lidhur më çështjen e pagave, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku tha se në rrethana normale askush nga deputetët nuk ndihet mirë në këtë situatë. Ajo shpreson që në të ardhmen t’i meritojnë pagat. kp