Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka thënë se me daljen e bizneseve në tregun e lirë energjetik, do dëmtohen bizneset, ekonomia e vendit dhe qytetarët e Kosovës.
Rafuna sërish kërkon nga institucionet e vendit që të shtyhet ky vendim dhe të përgatitet tregu, pasi që nuk është përgatitur fare.
Në një konferencë për media, Rafuna tha se nga një mijë e treqind biznese, as tridhjetë prej tyre nuk kanë nënshkruar kontrata nga furnizuesit.
“Do të dëmtohen dhe do ketë efekte shumë të mëdha negative për biznese, për ekonominë e vendit dhe qytetarët. Kërkesa jonë është që të shtyhet për një kohë që të përgatitet tregu më mirë sepse s’është përgatitur fare, të rritet konkurrenca, të njoftohen bizneset. Theksoi se asnjë biznes nuk është kundër daljes në tregun e lirë, por vetëm fazën e tranzicionit që të ketë një ofertë më të madhe, siç është një çmim i volitshëm. Jemi duke folur për një mijë e 300 biznese që sipas ZRRE duhet të dalin në tregun e lirë. Do të ulet edhe eksporti dhe do rritet importi i shërbimeve. Këto biznese sot me këto kushte dhe çmime që shkojnë deri në 400 për qind më shumë, tregon se sa është impakti i tyre në investime”, tha Rafuna.
Rafuna tha se vetëm KESCO ka dhënë ofertë ndërsa KEK-u ka deklaruar se nuk ka kapacitete dhe mundësi për të dhënë energji elektrike.
“Vetëm KESCO na ka dhënë ofertën, KEK-u në fillim ka deklaruar se nuk ka kapacitete dhe nuk ka mundësi me na dhënë energji elektrike. Kërkesën tonë më së miri e argumenton pse është drejtë licencimi i kompanive. Bëjmë thirrje si partner të sektorit privat që ta sjellë mundësinë masën ta ulë me ZRRE dhe ta shtyjë daljen në treg të lirë, ta përgatitim biznesin dhe mos të luajmë me bizneset e ekonominë e vendit. Biznesi do konsum, nëse qytetari nuk blen, nuk është konsumator, atëherë as biznesi nuk mundet me ekzistu”, shtoi Rafuna.
I pyetur se pse nuk janë përgatitur bizneset më herët, pasi që ky ligj ka hyrë në fuqi në vitin 2016, Rafuna u shpreh se në atë kohë është përgatitur plani për tranzicion, u shpall gjendje e jashtëzakonshme nga pandemia, u përgatit draftligji në Ministri të Ekonomisë dhe nuk u dërgua asnjëherë në Kuvend.
Rafuna tha se në fillim të marsit janë njoftuar se me 1 qershor bizneset do të hynë në treg të lirë.
“Ligji ka hyrë në fuqi në 2016, qysh në atë periudhë është përgatitur edhe një plan për tranzicion. Sipas atij plani është dashur të përgatitet grupi i dytë, ka ardhur pandemia, gjendje e jashtëzakonshme dhe më pas u përgatit draftligji në Ministri të Ekonomisë. Pritjet tona kanë qenë që ai ligj ne do përgatitemi për tregun e lirë dhe Ministria nuk e dërgoi në Kuvend hiç, as nuk është diskutuar se kur duhet të dalin bizneset në treg të lirë, dhe në fillim të marsit na ka ardhur njoftimi që me 1 qershor të dalin bizneset në treg të lirë. As vet ZRRE nuk e ka përgatitur tregun, po ta përgatitë, do ta kishim tregun e licencuar”, u shpreh Rafuna.
Kryetari i OEK, Rafuna tha se beson që nëse nuk do ketë ndonjë ndryshim, do të paralajmërojnë se çka do të ndërmarrin tutje.