Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku tha se ky subjekt nuk ka kërkesa për pjesëmarrje në ekzekutiv, porse sipas saj është kërkesë e arsyeshme që në krye të Kuvendit të jetë Fatmir Limaj.
Izmaku potencoi se nuk ka pasur takime të reja me qeverinë në detyrë dhe se qëndrimi i Nismës Socialdemokrate mbetet e njëjtë.
Ajo tha se ka bisedime në frymë pozitive dhe se ka konstruktivitet nga të dyja palët, porse nuk ka dicka te re.
“Takim të ri nuk mund të konfirmoj zyrtarisht që ka. Nuk ka asnjë qëndrim të ri. Mbetemi me ato qëndrime. Nisma konsideron që kuvendit të Kosovës në këto momente i duhet figura e Limajt sepse do të sillte konsensus. Sepse mendojmë që kryetari i Kuvendit është një udhëheqja e cila ka nevojë të sjellë konsensus edhe në me atë deputetëve edhe për procese që e presin Kosovën. Ka bisedime në frymë pozitive. Është konstruktivitet nga të dyja palët, por nuk ka ndonjë vendimmarrje të re…Sinqerisht nuk mund të themi që ka afat. Janë procese demokratike, që po besoj se janë normale. E mira është që ka një vullnet që të dilet nga ky ngërç. Nuk ka kërkesa për pjesëmarrje në ekzekutiv, por kjo është një kërkesë e arsyeshme me qenë në krye të kuvendit i cili ka luftuar për çlirimin e vendit, ka pasur vendimmarrje shumë të vështira dhe pozitive”, tha Izmaku.
Sot është thirrur për herë të njëzet e katërt seanca konstituive për t’u zgjidhur kryetari i Kuvendit të Kosovës.