Shkruan: Afrim Kasolli
Ndonëse ende nuk ka rezultatet konkrete nga negociatat në mes të SHBA-ve dhe Iranit, edhe pas pesë raundesh të takimeve, me qëllim kufizimin e ambicieve bërthamore të këtij të fundit, megjithatë ato shënojnë një pikë kthese në raportet diplomatike ndërmjet këtyre dy vendeve. Inicimi i tyre pikërisht nga administrata Trump, e cila siç dihet në mandatin e parë ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore e ish-presidentit Obama dhe vendeve tjera evropiane, si dhe gatishmëria e regjimit teokratik në Iran për t’u rikthyer në tavolinën e bisedave, reflekton dobësinë si të Teheranit ashtu edhe të Uashingtonit. Kuptohet, presidenti Trump disa herë ka deklaruar se nëse nuk do të ketë marrëveshje, atëherë konfrontimi ushtarak do të jetë i pashmangshëm. Madje i njëjti i ka deklaruar se e ka ndalur Izraelin që të mos ndërmarr veprime të kësaj natyre, derisa janë duke u zhvilluar tentativat për marrëveshje, duke nënkuptuar se është duke i dhënë përparësi zgjidhjes paqësore të këtij problemi dhe se nuk është i interesuar për konflikte të reja në atë rajon. E tëra kjo për shkak të pasojave fatale dhe lodhjes për SHBA-të, që prodhuan luftërat në Afganistan dhe Irak.
Po ashtu, në këtë mënyrë SHBA-të, gradualisht janë duke e pozicionuar vetën në kolizion me synimet strategjike të Izraelit në Lindje të Mesme, shtet ky i cili nën qeverinë aktuale të Benjamin Natanjahut, po pretendon se çdo rivalitet gjeopolitik në atë rajon mund të ketë zgjidhje militare. Sidoqoftë, që për një luftë me SHBA-të, nuk është i interesuar as Irani kjo është evidente. Sepse dihet se cilat do të ishin pasojat për regjimin në fuqi. Për më shumë, sanksionet perëndimore si dhe izolimi i gjatë ekonomik, nuk ka dyshim se e kanë lodhur atë nga brenda. Në anën tjetër, ky shtet kohën e fundit e ka humbur edhe relevancen e deritanishme gjeopolitike rajonale. Forcat e tij proxy, sikurse Hezbollahu në Liban, janë dëmtuar tej mase. Kurse, kolapsimi i dinastisë familjare të Bashar al Assad-it në Siri, ka ndikuar që edhe ai Damasku të çlirohet nga hegjemonia e Iranit. Prandaj, sot Irani ndodhet në pozitë të palakmueshme politike dhe strategjike, çfarë nuk ka opsion tjetër, pos kërkimit të një marrëveshje paqësore me SHBA-të për programin bërthamor. Pra siç ka argumentuar, Vali Nasr, autori i librit më të ri, “Iran’s Grand Strategy: A Political History” është pikërisht kjo dobësi e dyanshme që po i ndryshon dinamikat në mes tyre.
Sidoqoftë, efektet e këtij pajtimi strategjik do të ishin tektonike. Sepse do të mund të rezultonte me suspendimin e sanksioneve ndërkombëtare të imponuara mbi Iranin, për shkak të ambicieve të tij nukleare. Në këtë mënyrë, ky shtet do të kishte mundësi të eksportonte mallra sikur nafta në tregun botëror, çfarë do të ndikonte në uljen e çmimit të kësaj pasurie energjetike dhe kështu do të dëmtohej aseti kryesor nga e cili Rusia, po ushqen makinerinë e saj të luftës në Ukrainë. Presidenti Trump, disa herë e ka bërë të qartë se pa këtë ndryshim vështirë është të kufizohet ushtarakisht Moska në Ukrainë. Mirëpo, ndër arsyet madhore që është duke i hapur rrugë një kthese të madhe në mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të merret edhe qasja e re diplomatike në raport botën, e të parit. Fjalimi i Presidentit Trump gjatë vizitës së fundit në disa shtete arabe, e pasqyron këtë tendencë. Ai i kritikoi politikat e deritanishme intervencioniste të vendit të tij të inspiruara nga rrymat neo konservative si dhe doktrinat liberale më qëllim ndryshimin e regjimit në vende si Lindja e Mesme, si parakusht për paqe.
Sipas tij në të kaluarën SHBA-të kanë shpenzuar me triliona dollarë në funksion të tezave të shtet-ndërtimit. Mirëpo bilanci ka qene kaotik. Ndërkohë, sot i njëjti po e importon atë sasi nëpërmjet investimeve në SHBA nga shtetet arabe. Sepse paqja, progresi dhe zhvillimi nuk mund të sigurohen pa i respektuar traditat e pasura historike të kulturore të kësaj botë, pohoi ndër të tjera, presidenti Trump. Kështu, duket se ai e ka përçuar një mesazh të qartë edhe te regjimi në Tehran. Se synimi i tij, nuk është ndryshimi i kwtij regjimi, por sigurimi që të sillet konform interesave strategjike amerikane. Kthesë kjo që mund të shënojë edhe fillimin e afrimit ndërmjet SHBA-ve dhe Iranit.
Një qasje e tillë reflekton atë doktrinë strategjike që A. Wess Mitchell e ka analizuar në shkrimin “The Return of Great-Power Diplomacy- How Strategic Dealmaking Can Fortify American Power” e cila nuk ka për synim riformësimin e botës, por vetëm limitimin e potencialeve të vendit armiqësor nëpërmjet diplomacisë.
Kjo kthesë shënon edhe “deamerikanzimin” tradicional të politikës së jashtme amerikane të SHBA-ve.