Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme u tha se Partia Demokratike e Kosovës do ta fillojë betejën e saj juridike kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për daljen e të gjitha bizneseve të mëdha nga skema e tarifave të rregulluara në atë të tregut të lirë. Ndaj këtij vendimi dje shumë kompani vendore protestuan, nga ora 10-të deri në ora 12-të, duke i bllokuar hyrje daljet e kryeqytetit. Kryeministri në detyrë Albin Kurti, një aksion të tillë e quajti si të motivuar nga mentaliteti i barrikadave të qytetarëve serbë në pjesën veriore. Kurse vartësja e tij, Artane Rizvanolli, pohoi se “Ne e kemi parasysh që këta që janë destruktivë dhe bllokues janë shumë pak, por janë të zëshëm” Ndërkohë, sot subjekti i dytë parlamentar, e paska mbajtur premtimin.
Në një konferencë për shtyp përfaqësuesit e PDK-së kanë bërë të ditur se e kanë dorëzuar zyrtarisht në ZRrE kundërshtimin ndaj vendimit të këtij institucioni për daljen e bizneseve në tregun e lirë. Ndërkaq, nëse ky trup nuk kthen përgjigje brenda një afati të caktuar, atëherë PDK do t’i drejtohet gjykatës. Asgjë e jashtëzakonshme. Ka kohë që ky subjekt parlamentar e ka zhveshur vetën nga aksioni politik duke e reduktuar perfomancën e saj vetëm në adresim juridik. Dhe siç kam argumentuar në shkrimin “Pse “opozita” nuk po arrin të ngjall inspirim demokratik kundër Albin Kurtit?” këto dy sfera janë rrënjësisht të ndryshme. Kjo edhe është arseja që fitoret e saj juridike në mandatin e kaluar nuk e kanë reduktuar diferencën politike me partinë fituese të zgjedhjeve. Sepse siç e ka shpjeguar filozofi i cituar, Baron de La Brède et de Montesquieu, në librin e tij të njohur, “Fryma e Ligjeve” (The Spirit of Laws – De l’Esprit des lois), një sistem krahas, ligjeve që e formojnë “natyrën e një qeverisjeje dhe të cilat janë ato që e bëjnë atë të jetë e tillë dhe jo tjetër gjë, po ashtu janë edhe principet ato që e detyrojnë atë të veprojë në përputhje me to”.
Pra pjesë inherente e tyre janë edhe pasionet njerëzore që e nxisin atë të lëvizë. Kështu, nëse” parimi i aristokracisë është nderi, i despotizmit frika, ajo që e bën të veprojë dhe e vë në lëvizje një demokraci është forca e virtytit”. Madje kjo e fundit vështirë mund të funksionojë pa këtë nxitës. Ndërkohë virtyti manifestohet në pasionin për barazi. E siç e kanë dëshmuar deri më tani shumë nga liderët opozitarë janë të motivuar vetëm si t’i mbrojnë interesat e tyre private. Për më shumë, duhet cekur se PDK nuk është duke e kundërshtuar parimisht këtë kalim. Sepse ajo ka qenë në pushtet kur është legalizuar ky transferim, por ka vërejte vetëm më kohën kur po aplikohet. Pra kërkon që te pritet edhe pak, deri sa bizneset të jenë në gjendje ta përballojnë financiarisht këtë kalim. Një lloj shndërrimi i partisë politike në zyre të kontabilitetit financiar të bizneseve. Është e drejtë e saj të sillet në këtë mënyrë. Mirëpo, është ky subjekt politik që përpos “protestës” në rrjetet sociale në mënyrë virtuale nuk ka ndërmarr asnjë veprim konkret kundër shtrenjtimit të tarifave të energjisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, me përjashtim të atyre të veriut. Thjesht u pajtua politikisht plotësisht me këtë diskrimimin ekonomik mbi baza entike. Pra duke dëshmuar që nuk ka telashe kur cenohet parimi i barazisë qytetare.
Po ashtu PDK ka qenë indiferente nga protestat e qytetarëve të Kosovës në sheshet e Prishtinës kundër këtij shtrenjtimi. Kurse sot reagon vetëm kur në pyetje janë bizneset e mëdha. Në këtë mënyrë ajo e përçon mesazhin se është në gjendje të aktivizohet juridikisht vetëm kur janë në pyetje interesat e këtyre të fundit. Në anën tjetër, tërheqja e këtyre të fundit nga vazhdimi i protestave të filluara dje po ashtu është gabim. Ato duhet të vazhdojnë këtë betejë kundër ZrRRE së bashku me ata që janë duke i dhënë mbështetje politike, konkretisht Qeveria në detyrë e Albin Kurtit, deri të detyrohen ta ndryshojnë këtë vendim dhe atë për rritje prej 16 për qind për qytetarët e Kosovës, pa përjashtim.
Madje, edhe me koston e radikalizmit të situatës. Sepse me këtë zmbrapsje ata ja dorëzojnë vullnetin e tyre politik një subjekti partikular. Dhe në këtë mënyrë e fragmentarizojnë potencialin për jetësimin synimeve të proklamuara. Për fund, nëse ka diçka që PDK duhet ta konsiderojë si detyrë urgjente mbetet angazhimi i saj për ta verifikuar se sa janë realizuar termat e kontratës së privatizimit të rrjetit energjetik, sepse ka qenë në pushtet kur ka ndodhur ky privatizim. Siç dihet KEDS-i, e kishe përfituar këtë aset, me premtimin për investime deri në 300 milionë euro në rrjet. Qytetarët e Kosovës ende nuk kanë përgjigje se a ka ndodhur ky investim.
Pa adresimin e kësaj teme të gjitha lëvizjet e saj mund të konsiderohen si mjet për t’i maskuar “aksionet e saj politike” së bashku me Vetëvendosjen në këtë kompani