15:31 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Komuna e Leposaviqit e merr nën administrim sallën e sporteve, hiqen flamujt e Serbisë, vihen të Kosovës

Komuna e Leposaviqit e merr nën administrim sallën e sporteve, hiqen flamujt e Serbisë, vihen të Kosovës

Komuna e Leposaviqit, e udhëhequr nga Lulzim Hetemi, e ka marrë administrimin e objektit sportiv në këtë komunë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për mediumin në gjuhën serbe “KoSSev” se Komuna e Leposaviqit ka kërkuar ndihmën e tyre për këtë çështje.

“Ne vetëm po e ndihmonim udhëheqjen komunale në marrjen e sallës komunale në Leposaviq”, tha për KoSSev, Veton Elshani, zëvendëskomandant i policisë për rajonin e veriut.

“Mirëpo, ai nuk mundi të na tregojë nëse, siç ishte rasti gjatë marrjes së fundit të Pallatit të Sporteve në Mitrovicën e Veriut, tash në Leposaviq është ndërruar dryni i objektit”, raportoi ky medium.

Për këtë ngjarje për KoSSev ka folur edhe nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq.

Ajo tha se objektin nuk e ka marrë vetë komuna, por menaxhimin e tij dhe tha se çdo gjë tjetër mbetet e njëjtë siç ka qenë.

“Ne nuk po e marrim sallën e sportit, ne kemi përgjegjësi vetëm për objektin e sallës sportive, brenda objektit të sallës sportive nuk kemi asgjë, po ata punëtorë do të mbesin nëse duan, oraret për studentët, për trajnerët, gjithçka do të mbetet e njëjtë, vetëm menaxhmenti është i Komunës”, tha ajo.

E pyetur kush e ka menaxhuar sallën deri tash, Bogojeviq tha se ishte një organizatë që ka vepruar në kuadër të sistemit serb.

“Këtu thotë Organizata e Sporteve dhe Turizmit Leposaviq”, tha Bogojeviq,

RTS shkruan se pas marrjes në dorëzim të objektit janë vendosur tabela të reja, përkatësisht flamuri i Kosovës së bashku me një tabelë të re ku thuhet se është objekt i institucioneve të Kosovës. Mediat raportojnë gjithashtu se flamujt serbë janë hequr.