10:47 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Qeveria e Kosovës indiferente ndaj partnerëve ndërkombëtarë për interesa ekonomike të vendit, por e dëgjueshme për të akomoduar “tepricën e tyre njerëzore”

Qeveria e Kosovës indiferente ndaj partnerëve ndërkombëtarë për interesa ekonomike të vendit, por e dëgjueshme për të akomoduar “tepricën e tyre njerëzore”

Shkruan: Afrim Kasolli

Gjatë ditës së djeshme dy informacione kundërthënëse dolën në publik, e të cilat në masë të madhe i shpjegojnë sjelljet paradoksale të Qeverisë aktuale në detyrë.

E para sipas Institutit GAP, deri më tani, për shkak të masave sanksionuese janë pezulluar rreth 600 milionë euro, kurse kanë humbur plotësisht 7.1 milionë të tilla. Natyrisht, përfaqësuesit e ekzekutivit do të arsyetohen se kjo humbje ishte një e keqe e domosdoshme, për shkak të “politikave sovraniste” në veri. Për më shumë, është e vërtetë se Kosova ka pësuar humbje financiare por BE-ja me këto veprime është diskredituar moralisht dhe politikisht, sepse e ka ndëshkuar një shtet që është angazhuar maksimalisht në funksion të sundimit të ligjit e në luftë kundër krimit.

Ndërkohë, para pak dite Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters shkruante se për shkak të pamundësisë për ta konsitituar Kuvendin e Kosovës, ka gjasa që “ vendi më i varfër në Evropë” mund t’i humbas fondet e BE-së. Këtu është fjala për Planin e Rritjes Ekonomike të Ballkanit Perëndimor ku Kosovës i takojnë deri në 900 milionë euro. Por, që sigurimi i tyre nuk mund të bëhet pa ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Megjithatë, në mes të kësaj indiference totale ndaj nevojave ekonomike të vendit, Qeveria aktuale në detyrë, ka shprehur vullnet për të diskutuar me Mbretërinë e Bashkuar, lidhur me propozimin për ngritjen e “qendrave të kthimit” në Kosovë për azilkërkuesit e refuzuar nga ishulli britanik. Me këtë rast, fjala është për një lloj traktati sipas modelit të dakroduar në mes të Shqipërisë dhe Italisë, sipas së cilës “emigrantët ilegalë që kapen në detin Mesdhe dhe të cilët e synojnë Italinë fillimisht  do të strehohen në Shqipëri deri sa të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil”. Kjo marrëveshje ishte kritikuar ashpër nga grupet që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Sipas tyre ajo qëndron në shpërputhje si me rregullat ndërkombëtare të azilit, ashtu edhe me legjislacionin e BE-së për trajtimin e azilkërkueseve dhe reflekton tendencën shqetësuese të vendeve të Bashkimit Evropian që kërkojnë të gjejnë një zgjidhje përtej kufijve të bllokut, për problemin e refugjateve.

Sidoqoftë, ky alarm human nuk i ka penguar liderët politikë që ta shohin atë si model “pragmatik” për të shpëtuar nga presionet e brendshme populiste e ksenefobike që i ushqen figura e emigrantit. Gjermania është zotuar se do ta bëjë një gjë të tillë me Ruandën. Kurse Britani sipas raportimit të mediave po e konsideron edhe Kosovën si një destinacion të tillë.

Rreziku i eksperimenteve të tilla qëndron në faktin se brenda Kosovës do të shtohen ato hapësira të jashtëligjshme që ndryshe quhen kampe të refugjatëve. Ato do tw mbushen me njerëz pa të drejta, e të cilët ndodhen në një territor por ligjit e të cilit nuk vlejnë. Ndërkohë, të njëjtit e kanë humbu edhe mbrojtjen juridike të vendeve të tyre të origjinës në çastin që i kanë braktisur ato. Pra kategori kjo, që gjendet në “tokën e askujt”.  Kështu, sipas filozofit italian Giorgoi Agamben, kampi u lind pikërisht nga nevoja e shteteve kombe për t’u ballafaquar me refugjatët. Në këtë kontekst, mori jetë ajo hapësirë e veçuar juridike dhe politike  apo siç quhet ndryshe “gjendja përjashtimore” (state of exception), ku strehohen ata që nuk mund të integrohen në mënyrë “natyrore” brenda trupave juridikë dhe politikë, të këtij modeli shtetëror. Jeta e zhveshur e të cilëve administrohet në hapësira të mbyllura dhe që dalin jashtë rendit të zakonshëm juridik dhe politik. E si shembull të kësaj logjike, dikur Giorgio Agambeni e merrte edhe rastin e imigrantëve ilegalë shqiptarë në vitin 1991, kur autoritetet policore të shtetit italian i kishin mbyllur përkohësisht, para se t’i dëbonin ata në vendin e origjinës.

E ngjashme me këtë solucion është edhe marrëveshja e ratifikuar kohë më parë në mes të Kosovës dhe Danimarkës, sipas të cilës 300 të burgosur nga ky shtet, do ta vuajnë dënimin në qytetin e Gjilanit. Ndërkohë, është paraparë se grupi i parë i të burgosurve do të transferohen në vitin 2027.

Ndaj planeve të sipër cekura, ka reaguar edhe organizata Human Rights Watch (HRW), duke përsëritur kritikën, se BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, duhet të ndalojnë së përdoruri Ballkanin si një “magazinë për migrantët”. E, Qeveria e Kosovës në detyrë, tregoi se nuk e ka telashe ta shndërrojë shtetin e Kosovës në një trampolinë të tillë. Pra i njëjti pushtet, që e ka vendosur vendin nën sanksione ndërkombëtare me humbje enorme ekonomike nën pretendimin e sundimit të ligjit, apo refuzon të bëjë kompromise me “opozitën” për zhbllokimin e formimit të Kuvendit të Kosovës, nën arsyetimin e së drejtës së saj kushtetuese, që do t’i hapte rrugë ratifikimit të marrëveshjes së sipër cekur ekonomike në mes të vendit tonë dhe Brukselit, megjithatë nuk e përjashton mundësinë e ndërtimit të zonave tjera të jashtëligjshme në pjesë tjera të Kosovës, për t’i stërmbushur me banorë me përkatësi të ndryshme kulturore e etnike, nga vendet e treta, që shënjojnë “tepricën njerëzore” në shtetet perëndimore.

Akorde të tilla, siç kishte argumentuar kohë me parë Lea Ypi, nuk kanë asnjë logjike ekonomike, politike dhe juridike. Por ato po kushtëzohen nga suksesi i propagandës së ekstremit të djathtë. Ndërkohë, fatkeqësisht subjekte që e quajnë vetën nominalisht të majta, janë pajtuar që ta shndërrojnë vetën në instrumente ideologjike të së parës. /TV Arbëria