Shkruan: Afrim Kasolli
Sa më shumë që vazhdon kriza politike lidhur me pamundësinë e konstitumit të Kuvendit të Kosovës, aq më tepër do të shtohet zhgënjimi i qytetarëve në sistemin e tyre demokratik. Derisa në fund ta shohin këtë model politik, jo si mjet për realizim të vullnetit të tyre politik, por në instrument që i tjetërson ata nga shtëpia e tyre e përbashkët përfaqësuese.
Një disponim i tillë po ashtu mund të prodhojë edhe një zhgënjim ndaj vlerave demokratike perëndimore dhe krijimin e shtratit psiko-social për admirimin e metodave të autokratizimit politik, si zëvendësim për kaosin e liberaldemokracisë. Se një prapakthim i tillë mund t’i ndodh demokracisë, ishte vënë në pah këtu e dy mijë vjet më parë, nga filozofi antik Platoni, i cili gjatw përshkrimit tw defekteve të secilit regjim politik, kishte paralajmëruar se kur degjeneron një sistem demokratik, tirania shfaqet si konsekuencë e pashmangshme ndaj tij.
Në këtë kontekst, ky rrezik sot po bëhet gjithnjë e më serioz, sidomos kur marrim parasysh qëllimet strategjike të Rusisë, për ta minuar sa më shumë që të jetë e mundur besimin në vlerat demokratike. Kushdo që e ka parë dokumentarin e realizuar nga mediumi DW “Putin’s silent war – Hybrid attacks in Europe” mund ta shoh më nga afër, se si lideri rus, nëpërmjet një luftë të heshtur, i është vënë gjahut për ta minuar funksionimin e këtij sistemi politik.
Pas fillimit të agresionit në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, ai kishte shpresuar se shtetet evropiane, duke marrë parasysh varësinë energjetike nga burimet ruse të gazit, do të ishin të paralizuara të vepronin në solidaritet me Kievin. Shto këtu faktin, se në atë kohë vetëm shteti gjerman i importonte deri në 50 për qind të nevojave energjetike nga Rusia. Dhe këtë aset strategjik, Putini e kishte konsideruar si instrument për t’i shantazhuar shtete të tilla.
Mirëpo, pasi ky kalkulim i doli i gabuar, siç konstaton dokumentari në fjalë, ai iu përvesh metodave të indoktrinimit. Qëllimet e kësaj fushate, ishin proklamuar në vitin 2024 nga Dimitri Medvedev, i cili në mediumin Telgeram, kishte deklaruar se Rusia, duhet që të ta kthejë jetën e qytetarëve të perëndimit në një ankth të përhershëm derisa ata nuk do të jenë në gjendje ta dallojnë “trillimin nga realiteti”, apo të mos jenë në gjendje ta specifikojnë diferencën ndërmjet asaj që është e drejtë dhe gabim. Synimi final i këtij projekti mbetet pikërisht rritja e pesimizmit të qytetarëve perëndimor në demokracinë.
Shtrohet pyetja, atëherë sjelljet e fundit të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës duke e mbajtur peng vullnetin politik të qytetarëve, a mos po i shërbejnë me qëllim apo pa qëllim kësaj agjende të luftës hibride putiniste? Sepse dëshpërimi kolektiv i qytetarëve të Kosovës në institucionet demokratike vetëm interes i Perëndimit nuk mund të jetë. /TV Arbëria