Shkruan: Afrim Kasolli
Kuvendi i Kosovës dështoi dje për të 21 herë për t’u konstituar. E njëjta skenë i njëjti rrëfim. Për subjektet “opozitare” pa përjashtim, përgjegjëse për këtë bllokim është partia fituese e zgjedhjeve. Sepse kjo amulli sipas tyre i konvenon vetëm Albin Kurtit. Kurse për këtë të fundit të parat janë fajtore.
Sidoqoftë, mbetet një “enigmë sfinksi” se me përjashtim të një lëvizje, ndonëse jo substanciale, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës drejtuar Gjykatës Kushtetuese, sa i përket ndryshimit të mënyrës së votimit, asnjëra prej tyre nuk kanë bërë ndonjë hap tjetër konkret, për ta bllokuar apo limituar këtë tendencë të liderit të Vetëvendosjes. Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbetur e ngujuar të pozicioni i saj për një qeveri të unitetet, apo gjithëpërfshirëse, kurse Partia Demokratiken e Kosovës, për një ekzekutiv “opozitar”, kur t’i vie radha. E deri atëherë po mjaftohen me prononcime para mediave çdo 48 orë.
Nuk ka dyshim se minimi dhe defunksionalizimi i Kuvendit të Kosovës, paraqet mohim të vullnetit të sovranit. Ngase e pamundëson matrialzimin e këtij të fundit. Por shtrohet pyetja nëse “pushteti” ka interes ta mbajë peng këtë segment të demokracisë, pse “opozita” po i përshtatet kësaj agjende? A është frika se duke ju kundërvënë të parit mund të kenë kosto elektorale? Apo kalkulimi se duhet ta ndajnë së bashku tortën e pushtetit, prandaj duhet pritur edhe pak deri sa të lodhet ky i fundit?
Ndonëse nuk e përjashtoj këtë pandehmë, megjithatë edhe mbrojta e demokracisë, së pari kërkon aksione që duhet të ngjallin inspirim politik në shërbim të këtij ideali. Dhe secila prej partive “opozitare” në mënyrë të vetëdijshme apo të pa vetëdijshme, me sjelljet e tyre partiake qëndrojnë në antinomi me këto vlera. Me këtë rast duket se kjo dobësi e brendshme po i pengon për veprime të jashtme.
Le të marrim shembullin e Partisë Demokratike të Kosovës, kjo e fundit ka kohë që si subjekt politik nëpërmjet mirëmbajtjes së strukturave ilegale përfaqësuese të saj ka abdikuar ta konsiderojë këtë model si burim normativ të veprimeve partiake. Ajo në kundërshtim me statutin e brendshëm të subjektit po mban peng vullnetin e bazës së anëtarësisë, duke i shmangur në pafundësi zgjedhjet e brendshme. Dhe një subjekt që e shpërfill “kushtetutën partiake” nuk do ta ketë telashe të pajtohet edhe me ato të jashtme. Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dalur tejet e lënduar nga akuzat e brendshme për abuzim me votën e diasporës. Prandaj, kjo mbi vendosje e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj sovranit, mbase po u shërben atyre edhe si justifikim për t’i mbuluar mbivendosjet e brendshme ndaj vullnetit të bazës partiake.
Për më shumë, siç e ka detektuar këtu e dy shekuj më parë, filozofi i njohur francez, Baron de La Brède et de Montesquieu, në librin e tij të njohur, “Fryma e Ligjeve” (The Spirit of Laws – De l’Esprit des lois), një sistem krahas, ligjeve që e formojnë “natyrën e një qeverisjeje dhe të cilat janë ato që e bëjnë atë të jetë e tillë dhe jo tjetër gjë, po ashtu janë edhe principet ato që e detyrojnë atë të veprojë në përputhje me to”. Pra pjesë inherente e tyre janë edhe pasionet njerëzore që e nxisin atë të lëvizë. Kështu, nëse” parimi i aristokracisë është nderi, i despotizmit frika, ajo që e bën të veprojë dhe e vë në lëvizje një demokraci është forca e virtytit”. Madje kjo e fundit vështirë mund të funksionojë pa këtë nxitës. Ndërkohë virtyti manifestohet në pasionin për barazi. E siç e kanë dëshmuar deri më tani shumë nga liderët opozitarë janë të motivuar vetëm si t’i mbrojnë interesat e tyre private.
Mbase është pikërisht kjo mungesë e virtytit publik të këtyre të fundit, që i shpjegon disa nga paradokset që kanë ndodhur edhe gjatë mandatit të kaluar. Për katër vjet opozita ia doli që të korr shumë suksese juridike kundër tendencave antikushtetuese të pushtetit, por që mjerisht nuk u përkthyen në fitore politike. Për më shumë, Lëvizja Vetëvendosje politikisht ka shënuar fitore edhe më të madhe se para katër viteve, kur marrim parasysh skandalet qeverisese, dështimin e saj të gjithanshëm etj.
Përfundimisht, është kjo anomali politike opozitare e cila në masë të madhe po i penalizon ato të shndërrohen në inspirim demokratik kundër qasjes populiste të Albin Kurtit, e cila nuk ka dyshim, se po ashtu, është shndërruar në kërcënim për demokracinë tonë të brishtë. /TV Arbëria