18:53 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Koha për të Reflektuar

Koha për të Reflektuar

Shkruan: Bahri Beqiri

 

 

Deklarata e fundit e Sekretarit Kennedy për tërheqjen e mundshme të Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk është thjesht një kritikë ndaj burokracisë ndërkombëtare. Ajo sinjalizon një ndryshim të thellë në mënyrën se si fuqitë globale po e rishkruajnë rendin ndërkombëtar. Këto zhvillime duhet të jenë një alarm i fuqishëm për çdo shtet që synon të jetë pjesë aktive e arkitekturës globale — dhe më së shumti për Kosovën. Ndërsa fuqitë e mëdha si SHBA-ja e rishikojnë pjesëmarrjen e tyre në organizatat ndërkombëtare dhe vendosin rregulla të reja të lojës, Kosova, për fat të keq, ngec në vendnumëro për shkak të paaftësisë për të ndërtuar institucione funksionale dhe konsensuale.

Në një kohë kur dinamikat globale po ndryshojnë me shpejtësi — me sfida të reja si siguria shëndetësore, teknologjia, de-globalizimi dhe ri-konfigurimi i aleancave — Kosova nuk ka luksin të mbetet spektatore e vetmuar. Është koha e fundit që partia fituese në Kosovë të reflektojë seriozisht dhe thellësisht për situatën ku e ka sjellë vendin. Jo më me retorikë boshe e fjalë populiste, por me veprime të guximshme, llogaridhënie dhe aftësi për të ndërtuar institucione që nuk varen nga vullneti i një njeriu apo partia. Pa institucione të qëndrueshme, Kosova nuk mund të jetë pjesë e tryezave ku vendoset për botën e nesërme — dhe as nuk mund të kërkojë aleanca të reja kur vetë nuk është e zonja të funksionojë si shtet. Kur SHBA, partneri ynë kryesor, sinjalizon se OBSH po shërben më shumë interesat e Kinës sesa të qytetarëve të botës, Kosova duhet të kuptojë një gjë thelbësore: në lojën e fuqive, vendet e vogla ose bëhen pjesë aktive, ose mbesin viktima të rrethanave.

Prandaj, mungesa e reflektimit dhe vetëkënaqësia politike nuk janë më vetëm problem i brendshëm — janë kërcënim për të ardhmen e vendit. Në vend që të presim që bota të na kuptojë dhe ndihmojë pa fund, është momenti që vetë ta kuptojmë botën dhe të bëhemi pjesë e saj. Kjo fillon me reflektimin e menjëhershëm të qeverisë aktuale dhe gatishmërinë për një strategji të re kombëtare, ku prioritet nuk është mbijetesa në pushtet, por ndërtimi i kapaciteteve për t’u përballur me një botë që nuk pret më.

Nëse nuk reagojmë tani, nesër mund të jetë vonë. Dhe fajin nuk do ta ketë as OBSH, as SHBA, as BE. Fajin do ta kemi vetë.