Shkruan: Afrim Kasolli
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kohë që është duke e përsëritur qëndrimin se bllokada aktuale në Kuvendin e Kosovës nuk është juridike, por politike. Të njëjtin qëndrim ai e përsëriti edhe sot pas dështimit të 18’të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, problemin nuk e kemi te “koha por te vullneti i munguar i Lëvizjes Vetëvendosje për të dalur nga kjo situatë. Pasi, siç deklaruan edhe deputet të tjerë të subjektit të dytë parlamentar, kjo gjendje i konvenon partisë fituese të zgjedhjeve. Po ashtu, lideri i PDK-së, nuk dha shenja se partia e tij do të ndërmarr ndonjë veprim për ta adresuar këtë çështje pranë Gjykatës Kushtetuese, duke aluduar më shumë se një gjë të tillë duhet ta bëjë presidentja e vendit.
Një kthesë kjo që po tregon se Partia Demokratike e Kosovës tashmë ka vendosur të abdikojë edhe nga misioni kryesor që e kishte mbrojtur në mandatin e kaluar parlamentar, e cila ishte dalluar për dërgimin e lëndëve të ndryshme pranë organit kompetent për interpretim kushtetues. Në funksion madje të kësaj tërheqje taktike, kohë më parë një deputet i kësaj partie, pat deklaruar, se ata janë të vetëdijshëm se “Kurti dhe ministrat e tij kanë shkelur ligjin, por se nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”. Pra ky entitet politik edhe pse se sjelljet e partisë fituese te zgjedhjeve janë antikushtetuese, megjithatë ata do ta heshtin këtë temë. Thjesht do te pajtohen politikisht me shkeljet kushtetuese te Vetëvendosjes. Arsyet e këtij pajtimi më këtë disonancë juridike dhe politike mund t’i dinë vetëm ata.
Sidoqoftë, nuk ka dyshim se kriza aktuale është para së gjithash politike. Por ajo implikon edhe dimensione juridike. Madje para pak dite kam shkruar, se situata në Kosovë, dita ditës po i ngjan konceptit te Carl Shmitt, mbi sovranitetin, të artikuluar në librin e tij “Teologjia politike”. Sipas këtij juristi, me sfond anti-kushtetues dhe jo demokratik “sovrani është ai i cili vendos për gjendjen përjashtimore-state of exception” Po ashtu, vazhdon ky autor, “sovrani qëndron njëkohësisht si përtej ashtu brenda rendit juridik”. Pra ka status te dyfishte. Në mënyrë që shoqëritë njerëzore të mbrohen nga ky rrezik në demokraci kjo e drejte i takon popullit i cili nëpërmjet zgjedhjeve e materializon sovranitetin e tij në parlament.
Bllokimi i konstituimit të këtij fundit në Kosovë është edhe cenim i rolit të reprezentimit të sovranit. Dhe në këtë mënyrë Qeveria në detyrë, jashtë çdo kontrolli demokratik të sovranit po tenton ta imponojë vetën si e vetmja strukturë “përfaqësues” e kësaj kategorie. Prandaj edhe reagimi ndaj këtij skenari duhet të jetë si politik ashtu edhe juridik.
Ndërkohë, mjerisht reagimi i deritanishëm ndaj kësaj krize ka qenë apolitik. Secila prej partive janë bunkerizuar në mosveprim me shpresën se kjo bllokadë do t’i rikthehet në bumerang tjetrit.
Pra, ajo që kryetari i PDK-së, me të drejtë e quan si krizë politike ka vendosur t’i kundërvihet me pritje. Politikisht këtë qasje subjektet opozitare e kishin aplikuar edhe në mandatin e kaluar. Ato kalkuluan se në saje të qëndrimit “korrekt politik” ndaj pushtetit, ky i fundit do të dekompozohet vetvetiu, si nga dështimi në procesin e dialogut me Serbinë, ashtu edhe nga paaftësia për menaxhim të brendshëm.
Mirëpo, zgjedhjet treguan se një qasje e tillë ishte iluzore. Sepse Lëvizja Vetëvendosje e ruajti një diferencë të madhe elektorale me partinë dyte e të tretë. Ngase suksesi në këtë terren “garantohet” vetëm nga antagonizmi dhe ballafaqimi, e jo nga hezitimi në raport me vullnetin e pushtetit.
Këtu e dy shekuj më parë, njëri nga etërit themelues të SHBA-ve, John Adams, i njohur ndryshe edhe si pjesëtar i asaj që quhen federalistët e këtij shteti, kishte shkruar, se “pushteti kufizohet me pushtet, interesi me interes, forca me forcë, madje edhe arsyeja me arsye dhe po ashtu pasioni me pasion”. E këtu nuk është fjala për pushtet në kuptimin ekzekutiv, por në kuptimin politik, i cili kërkon një elaborim tjetër.