Shkruan: Afrim Kasolli
Ndonëse kam qenë kritik ndaj propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri gjithëpërfshirëse, për arsyeje tjera që i kam potencuar disa herë, megjithatë solucioni që e ka ofruar ky subjekt politik, është i vetmi që ofron një “shtegdalje” nga kriza aktuale.
E kam pohuar në vazhdimësi që arsyeja “latente” e kësaj bllokade, ka të bëjë frikën që i ka kapluar partitë politike në raport me zbatimin e detyrimeve shtetërore sa i përket marrëveshjeve të arritura në Bruksel me Serbinë.
Tashmë është evidente se për komunitetin ndërkombëtar ato kanë karakter obligativ ligjor për të dyja vendet. Detyrimet e Kosovës dihet cilat janë. Për efekte të brendshme elektorale, shumë nga pikat e dakordimit me Serbinë, sikur Asociacioni i Komunave me shumicë serbe etj, janë shndërruar në gogol të brendshëm politik, po nga këto parti.
Ndërkohe, në kushtet aktuale nuk ka qeveri që mund ta zhbllokojë agjendën e integrimeve euroatlantike pa progres në zbatimin e tyre.
Përndryshe, status-quo-ja do te vazhdojë pafundësisht. Kosova mund të çlirohet nga ky kushtëzim, vetëm nëse ka potencial për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga zotimet e marra. Por se cilat do te ishin pasojat e këtij akti “ekstrem sovran” dihet nga te gjithë ne.
Apo edhe nëse vetëm fati t’i ndihmonte sikur Uashingtoni ta fillonte një proces te ri negociator nën paradigmën diplomatike “Amerika e para”. Por me fokusimin e këtij shteti në luftën në Ukraine, Lindje të Mesme, me synim kufizimin e potencialeve bërthamore te Iranit, si dhe angazhimin për ribalancim të peshës globale të Kinës, as që duket në horizont një involvim i mundshëm i Amerikës në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.
Prandaj, propozimi LDK-se mund te shihet si një lloj “përpjekje e dë shpë ruar” pë r t’ u përballur me këto rrethana komplekse. Mesazhi i saj është i qartë. Duke qenë se nuk ka rrugëdalje nga ky kafaz, atëherë i vetmi shpëtim mbetet që të gjitha subjektet të jenë bashkëpjesëmarrëse e bashkëfajtore në atë që pret Kosovën.
Në fund u mbetet qytetarëve të vendosin se a do t’i ndëshkojë kolektivisht apo t’i amnistoje bashkërisht në aspektin politik. Pra, ose të gjitha duhet ta paguajnë haraçin e sjelljeve të deritanishme politike, ose po ashtu të gjitha mund ta shmangin ndëshkimin kolektiv qytetar. Në rastin e parë do të mirëmbahej e njëjta gjendje ku jemi katandisur tash e sa e kohë , kurse në rastin e dytë do të shtrohej shtrati për një fillim të ri në skenën politike. Hipotetikisht nëse skenari i dytë të kishte sukses, atëherë dëshira e LDK-së për ta mbrojtur këtë koniunkturë , mund të prodhonte pasoja të ndryshme nga intenca e këtij propozimi. Dhe në këtë mënyrë , mirëfilli do të mund të çahej rrethi vicioz i kësaj krize politike, origjina e së cilës së paku daton që nga viti 2014 e këndej.