Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Shqipëria zhvillon zgjedhje – Kosova zhvillon inate

Shqipëria zhvillon zgjedhje – Kosova zhvillon inate

Shkruan: Bahri Beqiri

Shqipëria pati zgjedhje të përgjithshme. Me të gjitha sfidat që sjell një proces elektoral – debat, kundërshti, mobilizim politik – shteti funksionoi, institucionet u angazhuan dhe qytetarët votuan. E ndërsa numëroheshin votat, Tirana përgatitej të priste liderë botërorë dhe mbante samite ndërkombëtare. Një shtet i vogël që po di të mendojë në mënyrë të madhe, e që po e kthen vëmendjen globale drejt vetes, jo për krizë, por për rol.

Ndërkohë në Kosovë, vendi që dikur llogaritej si simbol i aspiratave demokratike në rajon, duket se është ngujuar në një paralizë institucionale dhe politike. Liderët nuk takohen mes vete pa ndërmjetësim, fituesi me më shumë vota s’mund të ndërmarrë asnjë hap përtej ego-s së vet, dhe çdo përpjekje për dialog të brendshëm duket e tepërt – apo edhe e rrezikshme – për kalkulimet personale të pushtetit.

Ndërsa Shqipëria përpiqet të pozicionohet si nyje e rëndësishme diplomatike, Kosova përpiqet të ruajë qetësinë mes përçarjes. Aty ku duhej të kishte lëvizje, ka stagnim. Aty ku duhej të kishte vizion, ka vetëm heshtje politike dhe sharje digjitale.

Dhe qytetarët? Kanë kaluar nga protestat te serialet, nga shpresa te humori i zi. Sepse kur politika nuk ofron rrëfim serioz për të ardhmen, njerëzit zgjedhin të harrojnë të tashmen.