Analisti politk Afrim Kasolli, në emisionin ARB Debat në TV Arbëria ka komentuar dështimin e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se tashmë është bërë e vështirë edhe t’i numërosh përpjekjet e dështuara.
Sipas tij, situata politike është pa shtegdaljepa dalje.
“Është bërë vështirë edhe me i numru episodet e këtij seriali të dështimit të programuara politik. Kjo javë ishte intensive sa i përket disa iniciativave politike, por që përsëri përfunduan në të njëjtin vicioz, do të thotë, nuk ka shtegdalje nga situata në të cilën gjendemi”.
Kasolli: Takimi te Presidentja konfirmoi mungesën e vullnetit politik për të lëvizur nga pozicionet e tyre politike
Sipas Kasollit, takimi i fundit i partive te Presidentja nuk prodhoi asgjë të re dhe vetëm sa theksoi se palët nuk kanë asnjë vullnet për kompromis.
“Ai takim vetëm e qartësoi edhe njëherë që palët thuajse nuk kanë vullnet politik për të lëvizur nga pozicionet e tyre politike. Me të njëjtat qëndrime që kanë shkuar tek Presidentja, po ashtu kanë dalë me të njëjtat qëndrime”
Kasolli: Ambasada britanike ka bërë një lloj “shantazhi juridik” ndaj Albin Kurtit
Kasolli vë në dukje një zhvillim që, sipas tij, nuk është analizuar sa duhet nga mediat, vizita e ambasadorit britanik në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
“Një zhvillim interesant që nuk u analizua shumë nga mediat, e që më ka bërë përshtypje: njëri prej përfaqësuesve kryesorë të vendeve të Quint-it, pas takimit në Qeveri, ka zbarkuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ambasadori britanik.
Nëse analizohet me vëmendje komunikata për shtyp që është dhënë, thuhet që ambasadori britanik e ka inkurajuar kryeprokurorin Blerim Isufaj që t’i vazhdojnë hetimet për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë politik. Kështu që kjo më është dukur shumë indikative”
Sipas Kasollit, kjo vizitë mund të interpretohet si një formë presioni diplomatik mbi kryeministrin Albin Kurti, veçanërisht në kontekstin e hetimeve për rezervat shtetërore.
“Ne të gjithë e dimë që ka qenë thuajse sekret publik që ambasada britanike, shteti britanik në përgjithësi, kanë qenë një lloj mbështetës i kryeministrit, edhe sa ka qenë në opozitë, të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.
Dhe kur marrim parasysh tensionet që kanë ekzistuar ndërmjet këtyre dy qendrave të pushtetit, të LVV-së në njërën anë dhe të Kryeprokurorisë Speciale në anën tjetër, është një lloj shantazhi juridik, po e quaj kushtimisht kështu, që ambasada britanike në këtë rast i ka bërë kryeministrit Kurtit, duke e marrë parasysh faktin që janë duke u bërë hetimet mbi rezervat shtetërore dhe refuzimin që është duke iu bërë kryeministri Kurti për të shkuar si dëshmitar për ta plotësuar dosjen e kësaj afere korruptive”, është shprehur Kasolli në ARB Debat. /TV Arbëria