13:19 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Dje kritikonim Tiranën, sot imitojmë atë

Dje kritikonim Tiranën, sot imitojmë atë

Shkruan Agron Hoti

 

Deri para ca vitesh ka ekzistuar një kritikë gjithandej Kosovës se gjuha helmuese brendapërbrenda skenës politike në Shqipëri ishte e papranueshme dhe pse jo i rrezikshme. Sepse mu për këtë në vitin ’97 në Shqipëri patën shpërthyer përplasje deri në vëllavrasje që patën kulmuar me dështimin e plotë të shtetit shqiptar.

Pasojat e atij kaosi, Tirana zyrtare i vuan edhe sot. Pavarësisht intensitetit, gjuha helmuese politike s’ka të ndalur as sot. Dhe ç’është më e keqja, po të mos kishte zbarkuar NATO në Tiranë mu në ditën e zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, gjasat që ‘97-ta të përsëritej ishin më se reale. Në Kosovë kritikohej shpesh edhe gjuha e vrazhdë dhe toksike nëpër debate politike nëpër televizione shqiptare. Të krijohej përshtypja që ne në Prishtinë s’do të bënim si ata në Tiranë.

Për dallim prej ‘97-tës, ku Prishtina e robëruar nga Serbia s’përzihej në punë të Tiranës zyrtare, në zgjedhjet parlamentare të prillit 2021 një pjesë e politikës së Prishtinës fatkeqësisht po i frynte përçarjes dhe pse jo edhe përplasjes politike në Tiranë, duke u rreshtuar, kështu, hapur pro forcave opozitare atje dhe ç’është më e keqja duke votuar atje, pavarësisht që e njëjta politikë veçse e kishte marrë mandatin për ta qeverisur Kosovën.

Mjerisht, është e njëjta politikë në Kosovë që edhe sot vazhdon ta thellojë hendekun me Shqipërinë dhe me Perëndimin. Si rezultat i kësaj gjuhe toksike shumë qytetarë të ndikuar nga një politikë e tillë kur flasin për Perëndimin, Shqipërinë apo zhvillimet atje, e përsërisin të njëjtën gjuhë që e përdorin politikanët e preferuar të tyre në Prishtinë. Ndërkohë që Tirana zyrtare asnjëherë s’është përzier në zgjedhjet e Kosovës.

Por, nuk është mirë të ngrisësh standardin sa s’mund ta zbatosh. Kështu, Prishtina, lëre që e imitoi gjuhën helmuese të politikës së Tiranës, por duhet pranuar faktin që po të mos ekzistonte frika nga Covid 19 që solli edhe izolimin e qytetarëve, si dhe po të mos ekzistonte prezenca e NATO-s, Kosova në vitin 2020 pa më të voglin dyshim do të kishte kaluar nëpër një ‘97-të të ngjashme, kjo si rezultat i përçarjes brutale që po mbretëronte gjithandej vendit.

Pra, e kritikonim Tiranën, por u bëmë edhe më të zinj. Gjuha helmuese politike që po mbillej në Prishtinë nga një pjesë e politikës së saj që nga viti 2005, s’dallonte dot nga ajo e Tiranës. Si rezultat i kësaj gjuhe helmuese, skena politike në Kosovë është aktualisht aq e përçarë dhe aq e helmuar, sa s’ka më konsensus as për gjërat më banale. Prandaj, Kosova tashmë është futur në krizë të thellë politike, fundi i së cilës s’është më për t’u parë. Derisa deri dje kritikonim Tiranën, sot ia kemi kaluar asaj për gjuhë toksike që po shkatërron shoqërinë, qytetarët dhe vetë shtetin.