Shkruan: Arben Fetoshi
Fushata e fundit e shpifjeve kundër Policisë së Kosovës për gjoja “ngacmimet seksuale te vajzave dhe grave serbe” në veri, s’është asgjë tjetër pos një skenari hibrid për demonizimin e forcave të rendit dhe ligjit, duke përdorur thirrjen emocionale për mobilizim.
Lufta hibride e Serbisë kundër shtetit të Kosovës, me sulmet e armatosura në veri, si inkursioni në Banjskë dhe sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, apo “zbulimi” qesharak i BIA-s se pas këtij sulmi ishte Policia e Kosovës, ditët e fundit ka inskenuar edhe një fushatë shpifëse që ka për qëllim rrënimin e imazhit të policisë, si parapërgatitje e terrenit për sulme të reja dhe si parakusht për politikën e saj ekspansioniste në Kosovë.
Për t’i bërë më “bindëse” këto shpifje, ajo ka inskenuar po ashtu një reagim të disa organizatave joqeveritare në emër të “shoqërisë civile”, duke sfiduar EULEX-in dhe institucionet e tjera ndërkombëtare (Komunikatë për medie, 12.05.2025, https://ngoaktiv.org/alb/te_reja/komunikate-per-medie/).
Mirëpo, kjo narrativë mashtruese nuk është asgjë e re në sulmet hibride të Serbisë sipas modelit rus, pasi shpifjet janë përdorur edhe gjatë krizave të mëparshme si në vitin 2011, 2015 apo 2023.
Megjithatë, nëse demaskimi përmes të vërtetës nga institucionet e Kosovës mund të “merret” si i njëanshëm, atëherë EULEX-i dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut duhet të veprojnë me urgjencë, ta hulumtojnë të vërtetën dhe ta denoncojnë ashpërsisht luftën perfide të Serbisë kundër Kosovës.
Autori eshte drejtor i Institutit per Studime te Luftes Hibride “Octopus”