Mediumi Tv. Arbëria e dënon ashpër gjuhën ofenduese dhe fyese të grupeve ekstreme islamike ndaj komunitetit të gazetarëve në Kosovë, ku pjesë e kësaj e fetvaje propagandistike ishte edhe gazetari i TV. Arbërisë, Rid Berisha.
Në një letër publike, nën emrin e faqes “Al-Press”ndaj atyre i quan si “ekstremistë katolikë”, ky grup përpos që shpërhap përçarje, urrejtje dhe ndasi brenda kombëtare, po ashtu nuk nguron të përdor lutje morbide për gazetarët në fjalë, e të cilët do t’i pret një fat i kobshëm, për shkak të pozicionit të tyre kundër besimit islam. Pa dashur të bëjmë apologjinë e askujt, por si medium ku edhe punon njëri nga figurat mediale të apostrofuara, mund të themi me përgjegjësi, se kurrë në asnjë moment nuk kemi zhvilluar fushata publike kundër asnjë religjioni dhe besimi. Përkundrazi fokusi i ynë ka qenë vetëm në denoncimin e atyre formave perverse që mëtojnë t’i shndërrojnë vlerat religjioze në armë të brendshme politike për përftime të agjendave të dyshimta antikombëtare.
Madje nuk është e rastësishme, siç kanë vënë pah edhe qendrat e studimeve të sigurisë perëndimore, se klerikë me origjinë nga Rusia dhe lidhje të afërta politike me presidentin Putin, kishin defiluar në Kosovë gjoja në mbrojte të vlerave islame. Tolerimi i akteve të tilla, nuk është asgjë tjetër, pos përpjekje për ta përdorur këtë besim si paravan në shërbim të interesave hegjemoniste cariste ruse e për t’i tjetërsuar shqiptarët nga shtrati i tyre i natyrshëm i civilizimit perëndimor. Në këtë kontekst, mediumi TV. Arbëria me punën, angazhimin dhe dedikimin e tij profesional e publik, nuk ka bërë asgjë tjetër, pos që ka synuar t’i qëndrojë besnik, amanetit të etereve themelues të Rilindjes Kombëtare se “dielli për shqiptarët lind në Perëndim”, model inspirues ky, që e ka origjinën në trashëgiminë e lavdishme dhe të pavdekshme të Atit themeltar të shtetit shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skenderbu. Prandaj, çdo tendencë për ta cenuar këtë orientim strategjik do të shënonte fundin atij ideali që i mban të përbashkuar shqiptarët. Kombi ynë me tolerancën ndër-fetare shekullore është shndërruar në një shembull global se si një shoqëri mund të jetojë në harmoni e paqe të plotë ndemjet vetë edhe për botën e stome, ku tensionet dhe përplasjet kulturore dhe fetare po e i agravojnë gjithnjë me shumë konfliktet. Shpërdorimi i kësaj trashëgime nga propaganda e grupeve ekstreme fetare me sfond nga islami politik do të ishte humbja më a madhe e kësaj pasurie monumentale dhe lapidare të shqiptareve. Është detyrë imediate e organeve të sigurisë së organeve shtetërore që të mos i neglizhojnë kërcënime të grupeve të tilla dhe te reagojnë para se të jetë vonë./TV ARBËRIA.