Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kosova jashtë agjendës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kosova jashtë agjendës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kosova ka mbetur jashtë agjendës për anëtarësim në Këshillin e Evropës në ministerialit e këtij institucioni që do të mbahet të martën dhe të mërkurën në Luksemburg.

Këtë e ka konfirmuar zëvendësministri në detyrë i punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti.

 

Postimi i plotë:

Megjithëse të gjitha standardet janë përmbushur dhe secili kriter është plotësuar, anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk është përfshirë në agjendën e ministerialit të Këshillit të Evropës, i cili mbahet sot dhe nesër në Luksemburg.

Aplikimi për anëtarësim u dorëzua në maj të vitit 2022, dhe në shtator të po atij viti, Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës dha opinionin e qartë se Republika e Kosovës nuk ka asnjë pengesë ligjore për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës, sikurse çdo shtet tjetër evropian.

Në prill të vitit 2023, Komiteti i Ministrave, me mbi dy të tretat e votave në favor, pranoi aplikimin dhe e përcolli kërkesën për opinion në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Për një vit, Asambleja Parlamentare shqyrtoi përmbushjen e standardeve në fushat e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, për të hartuar opinionin nëse Kosova i plotëson kushtet për anëtarësim. Në nëntor të vitit 2023, Juristët Eminent publikuan raportin e tyre, ku një ndër përfundimet kryesore ishte se legjislacioni i Republikës së Kosovës është në nivelin e standardeve ndërkombëtare, madje, në disa fusha, siç janë të drejtat e pakicave, shkon përtej tyre.

Në prill të vitit 2024, raportuesja Bakoyannis paraqiti raportin e saj në Asamblenë Parlamentare, duke theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e anëtarësimit dhe se duhet të ftohet sa më parë si anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ky raport u miratua me mbi 80% të votave në favor.

Komiteti i Ministrave nuk ka vepruar asnjëherë në kundërshtim me opinionet e Asamblesë Parlamentare dhe vonesa aktuale në adresimin e opinionit të saj për Kosovën është e paarsyeshme. Është pikërisht Asambleja Parlamentare ajo që përcakton kriteret e anëtarësimit, siç tregojnë rastet e anëtarësimit të Monakos dhe Armenisë. Askund nuk parashihen “kritere jozyrtare”, të cilat po i kërkohen Kosovës në mënyrë të padrejtë.

Të gjithë ata që mund të kenë shqetësime për të drejtat e pakicave në Republikën e Kosovës mund t’i referohen raportit të Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, i cili thekson se Kosova i tejkalon standardet ndërkombëtare në këtë fushë. Ndërkohë, për mbrojtjen dhe zbatimin e këtyre të drejtave, nuk ekziston dhe nuk mund të imagjinohet asnjë mekanizëm vendor apo ndërkombëtar më efektiv sesa Këshilli i Evropës, me të gjithë mekanizmat e tij, veçanërisht me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të realizohet për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të saj dhe jo të trajtohet si mjet pazari apo levë presioni. Ky trajtim është një sinjal shqetësues për rajonin, veçanërisht në kontekstin e ri pas takimeve të liderëve politikë dhe fetarë të Serbisë me presidentin Putin.

Megjithatë, procesi i anëtarësimit është i pakthyeshëm dhe institucionet e Republikës së Kosovës vazhdojnë komunikimin me shtetet anëtare, duke ecur me vendosmëri drejt anëtarësimit si shteti i 47-të i Këshillit të Evropës, sipas opinionit zyrtar të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate.