Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Gazetari dhe pushteti

Gazetari dhe pushteti

Shkruan: Afrim Kasolli

Zakonisht në orët e vona të natës, preferoj të shfletoj për aq sa mundem, lexime më shumë të natyrës filozofike. Një shprehi kjo si për t’u “arratisur” për pak qaste nga temat ditore, por edhe për të reflektuar në mënyrë retrospektive mbi këto të fundit nën dritën “spekulative” të kësaj disipline. Kuptohet në raste të caktuara e shpërfilli këtë traditë, sikur mbrëmë.

“Fajtor” për këtë privim u bë gazetari Lirim Mehmetaj, pas të dhënave të prezantuara në emisionin Debat Plus në Tv Dukagjin, mbi abuzimet e mundshme në ministrinë e Bujqësisë.

U “trondita përtej arsyes” për pretendimet e ngritura nga gazetari në fjalë, për shkeljet nga ministri Peci. Ky i fundit ndonëse, sipas moderatorit të emisionit kishte ftesë për debat, megjithatë kishte refuzuar për t’u ballafaquar drejtpërdrejtë.

Tashmë është e qartë situata. Ndarja e fondeve nga ministria e Bujqësisë për një kompani që ishte themeluar pak para sa ta fitonte grantin, ka dyshime se është bërë në kundërshtim të hapur me normat ligjore në Kosovë. Madje mënyra se si arsyetohej në një medium tjetër ministri Peci, thuajse i konfirmonte pretendimet e gazetarit Mehmetaj.

Ishin indikative belbëzimet e ministrit, se fillimisht “nuk e njeh bazën ligjore”se ka “kërkuar rekomandim nga ministria e Drejtësisë” e deri te interpretimi se shumë vendime në dikasterin qeveritar që menaxhon, janë të strukturave profesionale administrative të ministrisë e jo të atij personalisht. Madje, duke shkuar deri atje se kush është ai “si ministër të dalë kundër stafit”? E deri te insinuatat për t’i atribuuar gazetarit Mehmetaj, konstatime se gjoja ka deklaruar se Presidentja Osmani e ka ndërtuar shtëpinë e saj në një lagje luksoze me para të ministrisë së Bujqësisë, që u pa qartë që nuk i kishte pohuar. Arsyetime të tilla nuk janë asgjë tjetër, pos përpjekje për t’u strukur nën emrin e përgjegjësisë kolektive dhe për ta luajtur injorantin si metodë për shfajësim.

Kuptohet, fjalën përfundimtare për këtë rast dhe të tilla të ngjashme duhet ta japin organet kompetente juridike. Fajtor dhe apo jo fajtor kushdo qoftë ai mund konsiderohet dikush vetëm me vendim gjykate.
Mirëpo, denoncimi i këtij abuzimi të mundshëm nga gazetari Mehmetaj, si dhe ai më herët për kompaninë “Noa Energy Trade”, janë një dëshmi e qartë se pse qytetarët e Kosovës duhet të jenë kundër këtij pushteti. Por kur njeriu sheh edhe reagimin e partive “opozitare” se si janë shndërruar në peng të agjendës së Kurtit, e duke i heshtur pikërisht tema të tilla e sheh pse duhet të jetë edhe kundër këtyre të fundit.

Arsyet e këtij pajtimi publik të “opozitës” me abuzimet e “pushtetit” mund të dinë vetëm këto dy palë. Por në vazhdimësi kanë ekzistuar dyshime se ministria e Bujqësisë në të gjitha qeveritë e pas pavarësisë, ishte shndërruar në një lloj çerdhe të abuzimeve, nëpërmjet supportimit financiar të firmave fantome.

Mbase nga kjo betejë ndërmjet gazetarit dhe pushtetit mund të shtrohet shtrati për shfaqjen e një force politike që e shndërron vetën në medium të përfaqësimit politik të qytetarëve, e jo sikur aktuliusht kur subjektet kryesore politike në vend i bashkon frika dhe interesi për njëra-tjetrën. Prandaj edhe synimi i tyre mbetet si ta mirëmbajnë këtë rend politik, ku secila ka gëzuar fitime të majme financiare nga shpërdorimi i buxhetit për interesa klienteliste.