Shkruan: Afrim Kasolli
Kuvendi i Kosovës dështoi për të 12 herë gjatë ditës së djeshme. Ndërkohë, për dallim nga herët e kaluara dështimi i fundit ndodhi nën dritën e propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta formuar një “Qeveri Nacionale Tranzicionale” ndërmjet të gjitha subjekteve parlamentare, si parakusht për zhbllokimin e situatës aktuale.
Ky propozim i partisë së tretë parlamentare të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit, erdhi pas ftesës së liderit të Vetëvendosjes për bashkëqeverisje. Deri më tani Albin Kurti, i ka dërguar tri ftesa në adresë të këtij subjekti politik. Dy të parat ishin me karakter konsultativ. Kurse kjo e fundit për koalicion të përbashkët.
Sipas liderit të Vetëvendosje ky solucion është dëshirë kolektive e bazës dhe anëtarësisë së gjerë të dy subjekteve. Po ashtu, këtij subsratrati të përbashkët vlen t’i shtohet edhe se të dy liderët kanë pasur raporte të afërta politike në kohën e qeverisjes Kurti 1. Kurse tensionet që kishin shpërthyer në atë kohë më tepër ishin pasojë e disa zyrtareve tjerë që tashmë nuk kanë pozita në hierarkinë e lartë të LDK, si atëherë. Ndërkohë, Lumir Abdixhku, në dallim nga propozimet e para që kishte refuzuar t’i përgjigjej pozitivisht ftesave konsultative, kësaj herë u shpreh i gatshëm për bashkëqeverisje, por më kusht që pjesë e ekzekutivit të ri të jenë edhe subjektet tjera.
Një përgjigje e tillë ishte mbase ajo që më shumti e kishte pritur Kurti. Sepse ftesa e këtij të fundit vetëm për koalicion nuk ka qenë. Por pjesë krijimit të një alibie publike se ky i fundit në këtë mënyrë mëton, që e para së bashku LDK ta ndërtojë një partneritet politik që nuk është i varur nga Lista Serbe, ngase kjo e fundit si instrument i Beogradit, ka për qëllim ta mbajë të bllokuar jetësimin e vullnetit demokratik të qytetarëve të Kosovës, si dhe duke marrë parasysh sentimentin elektoral në LDK, kundër Partisë Demokratike të Kosovës, ta mbajnë këtë të fundit në opozitë. Pra një pushtet që e mban larg tortës së tij PDK-në dhe Listën Serbe. Por më përgjigjen e dhënë Lumir Abdixhku, tregoi se nuk mund ka guxim ta imagjinoi asnjë solucion të pushtetit me Vetëvendosjen jashtë tij. Mirëpo, që ta relativizoj peshën e këtij “mëkati” politik, ai u përkujdes që kjo të bëhet nën formula të romantizmit mitik politik të unitetit nacional, sipas asaj kritikës së njohur logjike të Hegelit ndaj Schelling-ut, se tezat e këtij të fundit i ngjasojnë “lopëve të zeza natën, që nuk dallojnë ndëmrjet vete”. Në këtë mënyrë lideri i LDK-së, po ashtu e përmbysi edhe një qëndrim tjetër paraprak, se ai është i ndryshëm nga të gjithë të tjerët. Se nuk ka kohë të merret me modelin e vjetër politik të Kosovës, por mbetet i përkushtuar në trasimin e një rruge të re të panjohur deri me tani.
Në anën tjetër kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasnqi, po ashtu me të marrë ftesën për takim konsultativ u rreshtua para Kurtit në zyret e Kuvendit të Kosovës. Ndonëse, i njëjti pak ditë para një takimi të tillë, kishte deklaruar se Albin Kurti, nuk ka arsyeje për t’i ftuar për takime, sepse “nuk ka mandat, ai është vetëm një deputet, s’ka nevoje me na ftu, krejt çka i mbetet atij është vetëm me propozu një kandidat tjetër, le te provon i ka 48 deputete tjerë”. Pozicion ky që u përmbys sa hap e mbyllë sytë, nga frika se refuzimi i një takimi të tillë mund të përdorej si armë politike nga Kurti për ta satanizuar këtë parti.
Sipas arsyetimit zyrtar të eksponentëve të këtij subjekti politik, me këtë gjest qëllimi ishte t’i dëshmohej para opinionit se kjo parti nuk ishte ajo si po e përshkruan Kurti. Dhe se po të vepronte në të kundërtën, ekziston frika se një refuzim i tillë mund t’i hakmerrej në opinionin publik. Prandaj ajo duhet të sillet korrekt politikisht në raport me liderin e Vetëvendosjes në mënyrë që të mos e fitojë zemërimin e qytetarëve të Kosovës. Prandaj, ajo duhet të veprojë, sipas shijeve të Albin Kurtit, që ta ruajë relevancën e saj politike, e jo nga aksionet vetanake, duke e detyruar të parin që t’i përshtatet agjendës së këtij subjekti politik.
Këto reagime të dy prej subjekteve kryesore “opozitare” ishin ajo mbase që më shumti i nevojitej Kurtit. E para PDK për shkak të kompleksit të fajit të strukturtës së saj drejtuese të introjektuar nga narracioni i liderit të Vetëvendosjes u pajtua se atë mund ta shlyej vetëm duke vepruar në koherencë me thirrjet e tij, kurse e dyta LDK se me gjithë retorikën e saj se Kosova është peng i mentaliteti politik të partisë fituese të zgjedhjeve, sidoqoftë e para nuk mund ta imagjinojë të ardhmen e afërt pa bashkëpunim me të dytën.