Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Kriza që nxori në sipërfaqe jo maturitetin e partive “opozitare”

Kriza që nxori në sipërfaqe jo maturitetin e partive “opozitare”

 Shkruan: Afrim Kasolli

 

 

Në një sërë shkrimesh e kam potencuar se dështimi për ta konstituar Kuvendin e Kosovës, para se të jetë temë procedurale dhe ligjore, është para së gjithash manifestim i një krize më të thellë politike. Për më shumë, e para po përdoret vetëm si paravan për ta mbuluar të dytën. E vërteta e trishtë e këtij realiteti bizar është së asnjëra prej partive politike nuk ka ide se çka të bëjë me mbështetjen qytetare që e ka marrë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Prandaj, janë betonuar te një emër. Ngase të gjitha subjektet parlamentare nuk janë të interesuara që presioni i aftave kushtetuese për formimin e ekzekutivit të zhvendoset nga Kuvendi. Dhe këto lojëra taktike filluan që nga dyshimet që u hapën për votimin e raportit të Komisionit ad hoc, për verifikimin e mandatit të deputetëve.

Kështu mbajtja pezull e materializimit demokratik të qytetarëve të Kosovës, sot është shndërruar në interes politik të atyre që kanë marrë mandat ta përfaqësojnë atë. Shihet qartë se Lëvizja Vetëvendosje, si me ftesat konstante ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, ashtu edhe insistimin e saj për ta ndërruar procedurën e votimit për kryeparalementar nuk ka për qëllim t’i hap rrugë krijimit të institucioneve te reja. Por me anë të këtyre masave taktike, ajo synon ta legjitimojë narracionin e saj se ishte viktime e konspiracioneve të luftës hibride të orkestruar nga Serbia më qëllim që të pengohet rikonfimimi i Albin Kurtit në pushtet. Kjo skemë mund të plotësohet edhe me anë të deklaratave të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, në Këshill të Sigurimit, se është interes i shtetit të tij, ta largojë Albin Kurtin nga pushteti.

Prandaj, partitë “opozitare” tash ndodhen para një sprove serioze, ose të veprojnë në pajtim më dëshirat e diplomatit serb, ose të rreshtohen me Albin Kurtin, kundër kësaj tendence. Në këtë drejtim, pas letrës së fundit publike të liderit të Vetëvendosjes për Lumir Abdixhikun, presioni do të shtohet në masë të madhe mbi subjektin e tretë politik parlamentar. Mirëpo, nuk mund të mohohet fakti, se as partitë “opozitare” nuk janë të interesuara për të dalë nga kjo bllokadë. E para deri më tani vetëm i janë nënshtruar agjendës së Albin Kurtit me pretendimin për ta ekspozuar atë si “humbës” të zgjedhjeve nacionale dhe i cili nuk i ka numrat e nevojshëm për të qeverisur. Por, edhe të parat nuk kanë demonstruar vullnet për ta formuar një qeveri “opozitare” për ta lënë jashtë pushtetit, “fituesin relativ të zgjedhjeve”. Arsyet e përqafimit të taktikës së pritjes së pafund mund të jenë të shumta. Duke u nisur që nga fakti se secilën prej tyre i shoqëron shija e hidhur të pabesisë, për shkak te intrigave që kanë përdorur ndaj njëra tjetrës, e deri të frika dhe ankthi për të marrë përgjegjësi lidhur me proceset e brendshme dhe ndërkombëtare që po përballet Kosova. Dhe për më shumë kjo krizë e nxjerr në sipërfaqe jo maturitetin e tyre politik. Është e vërtetë që PDK, LDK, AAK, herë bashkë e herë ndaras kanë bashkë qeverisur që kur u krijuan institucionet politike në Kosovën e pas luftës. Dhe po ashtu, nuk mund të mohohet fakti, se shumë prej arritjeve diplomatike për shtetin e Kosovës lidhet me to. Shpallja e pavarësisë, fitorja në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur këtë akt, përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur, sigurimi i njohjeve shtetërore, anëtarësimi në shumë organizata multilaterale, e deri te formimi i Ushtrisë së Kosovës, janë disa nga arritjet kapitale historike.

Prandaj shtrohet pyetja se çka ka ndryshuar tash, që këto parti të kenë frikë nga pushteti? Pse ky hezitim i tyre në një kohë kur i kanë numrat për të marrë obligime në këtë fazë delikate historike? Pra kur shteti ynë ka nevojë më shumë se asnjëherë tjetër për avancim të pozicionit të ndërkombëtar, por edhe për të adresuar krizën e brendshme ekonomike e cila vetëm sa do të përkeqësohet nga çmimet e reja energjetike. E në këtë rast duhet potencuar se sukseset e sipër përmendura të shtetit të Kosovës, ndonëse kishin ndodhur në kohën e qeverisjes së partive “opozitare”, megjithatë ato ishin edhe pasojë e një rendi ndërkombëtar që tashmë po perëndon dita ditës. Në masë të madhe një rol meritor e kishin pasur aleatet tanë strategjikë në krye me SHBA-të. Të parave u duhej vetëm të operonin brenda skemës së paracaktuar. Dominonte një harmoni trans-atlantike dhe Kosova mjaftonte vetëm të ishte në linjë me protektorët e saj të vërtetë. Natyrisht më këtë nuk them se kjo trashëgimi ka qenë gabim. Por kur sot, Uashingtoni është i fokusuar në tri kriza serioze globale, e para si arrihet domosdosdoshmërisht armëpushimi në Ukrainë, madje edhe me çmimin e humbjes territoriale nga kjo e fundit, apo të parandalohet me çdo kusht shndërrimi i Iranit në një fuqi bërthamore rajonale në Lindje të Mesme, si parakusht për sigurimin afatgjatë të Izraelit dhe përfundimi sa më shpejt që të jetë i mundur i luftës në rripin e Gazës, Kosova as që figuron në radarët diplomatikë të Shtëpisë së Bardhë. Madje kjo e fundit e ka bërë të qartë se si pjesë të makro-strategjisë së saj planetare e ka divrocimin e Rusisë nga Kina, edhe me koston e shpërfilljes së BE-së si faktor gjeopolitik i sigurisë (e cila edhe është lehtësuese e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve), me synim integrimin e Moskës në rendin ndërkombëtar perëndimor, të përjashtuar që nga fillimi i pushtimit brutal të Ukrainës.

Në këtë kontekst, sot Kosovës i duhet që të gjendet vetë në një realitet të tillë kaotik. Arseje kjo që asnjëra palë nuk ka guxim të veprojë në këto kushte të reja. Dhe ky pozicion nuk është aksidental. Prandaj edhe kanë zgjedhur rolin prej spektatori. Por pasojë e kultivimit të atij raporti ku “hegjemonia beninje” i jetësonte synimet strategjike të Kosovës, kurse këtyre u mbetej vetëm përfitimi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe sa i përket zotimit të tyre për “rezistencë” ndaj shtrenjtimit të çmimeve të energjisë elektrike. Secila prej tyre janë të vetëdijshme se nuk mund të bëjnë asgjë ne këtë drejtim, sepse nuk mund të dalin kundër synimeve për përftim të kompanisë si KEDS, në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

Ngase e vetmja shpresë në këto rrethana për mbështetje ndërkombëtare u ka mbetur presidenti i Republikës së Turqisë Rexhep Erdogan. Janë këta faktorë që në masë të madhe kanë ndikuar që qytetarët e Kosovës sot te jenë të braktisur politikisht, nga ata që po e preferojnë pasivitetin dhe pritjen në këmbim të rrethanave më fatlume për ta. Dështim ky që tregon kolapsin e qasjes së tyre për ta konceptuar politikën vetëm në spektakël për prodhime elektorale me projekte të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale, apo mjet për t’i konservuar përftimet personale, e të shkëputur nga realiteti konkret social dhe historik. Kjo gjë edhe ka qenë e mundur për aq kohë sa SHBA ishte guida kryesore e politikës sonë.

Por kur tashmë mentori ynë është indiferent për shkak të krizave tjera të sipër cekura globale, më shumë se asnjë herë tjetër u shpërfaq frika nga përgjegjësia politike. E cila nuk është asgjë tjetër pos rezultat i paaftësisë së tyre për të dalë nga gjendja infantile psiko-politike.