Shkruan: Afrim Kasolli
Për herë të tretë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i paska dërguar letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për t’u takuar më qëllim që t’i hapin rrugë krijimit të institucioneve të reja të daluara nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Të parën e kishte shkruar pak pasi kryeministri në detyrë, e pat ngritur alarmin se ka një investim të Serbisë, për ta bllokuar materializmin e vullnetit demokratik të zgjedhjeve nacionale. E dyta i ishte drejtuar si LDK-së ashtu edhe PDK-së, për konsulta me qëllim të zhbllokimit të situatës në Kuvend.
Por për dallim nga dy herët e para, që ishin më shumë ftesa konsultative, letra e sapo dërguar është thirrje e hapur për bashkëqeverisje. Siç dihet deri më tani subjekti i tretë politik në vend, nuk i është përgjigjur pozitivisht këtyre thirrjeve.
Në bazë të retorikës së përdorur nga kryetari i LDK-së, është e pritshme që ai do ta refuzojë edhe këtë ofertë. Sepse i njëjti ka kohë që ka filluar ta portretizoj imazhin e tij, si i ndryshëm nga të tjerët. Dhe se në vend të bashkëveprimit, ndaj këtij modeli politik që përfaqësohet nga të gjitha subjektet tjera politike, nevojitet refuzim e rezistencë në funksion të një “rruge të re”. Sa do të ketë sukses “politika e re” e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku ajo e vetme nën drejtimin e liderit të saj, do ta hap një shteg të pashkelur mbetet të shihet.
Sidoqoftë, përtej këtyre diferencave, letra e Albin Kurtit ndaj Lumir Abdixhikut e mbart edhe një mesazh personal për të. Natyrisht, ai ia rikujton vullnetin e dikurshëm të këtij subjekti për koalicione me partitë tjera, çfarë nuk ka arseje të jetë tash kokëforte, por duke mos e anashkaluar raportet e afërta që të dy liderët në të kaluarën kanë pasur ndërmjet vete. Albin Kurti shkruan se “në vitin 2020 në kemi qene bashkë kolegë, në Qeverinë Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa tjerë që nuk kanë më pozita as ndikim të madh në LDK si asokohe”.
Këtë afërsi intime politike ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut, e ka pranuar edhe ky i fundit. Në një sërë deklarimesh publike, ai ka deklaruar se ndër arsyet pse po refuzon tash e tutje ta ndajë pushtetin me Lëvizjen Vetëvendosje, ka të bëjë me faktin se nuk mund t’i kapërdijë ofendimet e Albin Kurtit për tradhtar të Serbisë, pasi e kishte pritur liderin e Vetëvendosjes, në shtëpinë e tij. Madje, se në atë konak ishin sajuar planet e përbashkëta për bashkëqeverisje dhe ishin harmonizuar programet politike. Një dëshmi kjo se në atë kohë negociatat në mes të LDK-së dhe VV-së, ishin zhvilluar në mënyrë paralele, në njërën anë ato zyrtare të cilave u printe Isa Mustafa me rrethin e tij, dhe ato sekrete në shtëpinë e kryetarit aktual të LDK-së.
Në këtë kontekst, me të drejtë është shtruar pyetja se as mos ajo që pasoi në këtë subjekt politik e ka origjinën në këtë të kaluar të “errët revolucionare” të këtyre dy liderëve. Si shembull mund te merret refuzimi i Lumir Abdixhikut, për të t’u bërë pjesë e kabinetit qeveritar të drejtuar nga Avdullah Hoti dhe heshtja e mortore e kryetarit aktual të LDK-se për marrëveshjen e Uashingtonit të shtatorit 2020-të, te dakorduar në Shtëpinë e Bardhë, në mes të ish-kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Vuciq, në prani të presidentit Donald Trump. Dhe ishte armiqësia populiste politike ndaj kësaj marrëveshje e prirë nga Albin Kurti dhe Vjosa Osamani, e cila realisht e shtroi rrugën që Lumir Abdixhiku, ta marrë stafetën e drejtimit të LDK-së. Prandaj, duket që me ata rreshta Kurti ka dashur t’ia rikujtojë kryetarit të LDK-së, se dhe pozitën aktuale e ka si pasojë e këtij “konsiparcioni” paraprak politik ndaj atyre që më nuk kanë pozita që dikur i gëzonin, e nga të cilat është çliruar edhe Lumir Abdixhiku
Përfundimisht, kjo ofertë nga ana e Kurtit është edhe një lloj thirrje nostalgjike për kryetarin aktual të LDK-së, për ta vazhduar misionin e lënë përgjysmë. Kuptohet, në politikë, pasi iniciohet aksioni, kurrë më nuk mund të rikthehen gjërat aty ku ishin para fillimit të tij.
Tashmë, kryetari i LDK-së po mëton ta imitojë stilin politik të liderit të Vetëvendosjes. Sepse ka filluar të flas me gjuhën e tij, pra për rezistencë e refuzim ndaj krejt modelit të deritanishëm politik në Kosovë. Ashtu siç kishte vepruar i pari deri sa u bë forca kryesore politike.
Natyrisht, me një dallim, sepse lideri i LDK-së, nuk ka dhënë prova të aksionit në favor të retorikës së tij. Bie fjala, a mund të imagjinohet se ajo që po ndodh më çmimet e rrymës, e legalizmin e diskriminimit ekonomik mbi baza etnike, si do të ishte sjellur Albin Kurti sikur të të kishte ndodhur në kohën e “ish-regjimit të vjetër”.
Ndërkohë, deri më tani zyrtarët e LDK-së po ankohen se Albin Kurti me anë të bllokadës të konstituimit të Kuvendit, po ua pamundëson të diskutojnë për këto telashe shoqërore dhe ekonomike. Por edhe pse deri më tani janë organizuar disa protesta kundër kësaj padrejtësie të re, siç duket për shkak të synimit për të qenë të ndryshëm nga të gjithë të tjerët, e kanë parë të arsyeshme t’i refuzojnë edhe këto akte spontane të organizimit politik.