Shkruan: Afrim Kasolli
Ka kohë që në Kosovë dominon një korrelacion i pamohueshëm politik ndërmjet shtresës së rinisë dhe mbështetjes elektorale për Lëvizjen Vetëvendosje. Natyrisht kjo nuk do të thotë se nga ky kontingjent nuk kanë vota edhe subjektet tjera politike. Apo se nuk janë të angazhuar në kuadër të tyre. Vet forumet rinore të tyre janë dëshmi e këtij raporti. Por në masë të madhe kryesisht kjo kategori e shoqërisë ka gjetur satisfaksion në kuadër të rrëfimit politik të partisë fituese të zgjedhjeve dhe ekskluzivisht liderit të saj, Albin Kurti. Madje personalisht në disa shkrime e kam kontestuar “përtacinë e mendjes” së disa eksponentëteve të partive humbëse të zgjedhjeve për ta simplifikuar një pjesë të madhe të suksesit elektoral të Albin Kurtit, vetëm si shprehje nostalgjike për ish rendin jugosllav. Sepse të parat më shumë se sa me të kaluarën, e kanë humbur betejën për të ardhmen me Lëvizjen Vetëvendosjen( Ndërkohë se cila është cilësia e fitores së kësaj të fundit është temë tjetër).
Kuptohet edhe në shumë vende tjera kur ndodhin zhvendosje tektonike politike, siç ka ndodhur në rastin e Kosovës, analizohen korrelacionet ndërmjet gjendjes ekonomike, moshës, gjinisë, nivelit të edukimit dhe performancës së subjekteve politike. Në masë të madhe në raste të tilla dominon ndërlidhja ndërmjet frustrimit social dhe percepcionit se sistemi tashmë është i tjetërsuar dhe nuk punonn në funksion të qytetarëve të zakonshëm. Për më shumë ai është i huaj për ta. Madje edhe në SHBA është veçuar një korrelacion i madh ndërmjet votueseve për kandidatin republikan Donald Trump dhe mungesës së tyre të shkollimit universitar (voters ëith no college degrees). Natyrisht, këtu nuk duhet përjashtuar as efektet e globalizimit të cilat edhe pse i kanë krijuar një supermaci ekonomike SHBA-ve, në anën tjetër janë shndërruar në burim të përçarjeve të brendshme sociale dhe ekonomike dhe se ato shtresa që kanë mbetur mbrapa si pasojë e këtyre trendëve janë joshur nga magjia e premtuese e presidentit aktual. Në këtë kontekst duke e ekstrapoluar këtë logjikë në rastin e Kosovës, shtrohet pyetja se çka e kushtëzon një afinitet politik të të rinjve me Lëvizjen Vetëvendosje.
Siç dihet jo shumë kohë më parë, hulumtimi “Studimi për rininë në Kosovë, 2024” i prezantuar nga organizata Friedrich-Ebert-Stiftung, tregonte se Lëvizja Vetëvendosje vazhdonte të ishte më preferuara në raport me partitë tjera politike te brezi prej moshës 15 deri në 24 vjet. Kështu, të anketuarit nga kjo shtresë patën deklaruar se “38. 3 për qind kanë deklaruar se kanë votuar për këtë parti, kurse 33. 0 për qind do ta bënin përsëri të njëjtën gjë. 24.0 për qind e kanë votuar Partinë Demokratike të Kosovës, kurse tani vetëm 15.4 për qind janë pro këtij subjekti politik. LDK-në e kanë votuar 12.8 për qind, ndërkaq për këtë parti do të votonin vetëm 9.8 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka gëzuar mbështetje me 3.4 për qind, aktualisht vetëm 2.3 për qind e rinisë janë për këtë subjekt politik”. Në anën tjetër, shumica e të rinjve pohon hulumtimi e kanë pranuar se “më me gjasë do të votojnë duke u bazuar në liderin e partisë (rreth 28%), në krahasim me ideologjinë e partisë, programin zgjedhor të partisë ose koordinimin me familjen dhe miqtë – këto tri përgjigje të ndryshme kapin shifrën rreth 19 %”.
Ndërkaq hiç me larg se para dy dite, Instituti GAP në raportin, “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”, ku ndër tjerash flitet edhe për të rinjtë dhe tregun e punë” ka treguar se si rreth 30% e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë nuk janë në arsim, punësim ose trajnim”.
Natyrisht, duhen analiza me të detajuara për ta qartësuar këtë korrelacion, por nuk mund të mohohet fakti se ekziston një paralele interesante ndërmjet këtyre dy realiteteve sociale dhe politike. Një dëshmi kjo që sidomos ata që janë mbi moshën tjetër 18 vjet ndodhet e pushtuar nga një gjendje pasive në aspektin social dhe ekonomik, por që gjene “ushqim” të mjaftueshëm politik në retorikën e partisë ë fituese të zgjedhjeve. Ndërkohë, ajo që është me shqetësuese mbetet fakti se në “gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë te të rinjtë (15-24 vjeç), ishte 21.2 për qind, ose 5.0 për qind më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kur ishte 16.2%” Një e dhënë kjo që tregon se gjendja po përkeqësohet në këtë sektor.
Prandaj, me të drejtë shtrohet pyetja se a kemi të bëjmë këtu edhe me një qasje taktike që qëllimisht të mirëmbahet ky raport si parakusht për përfitime politike.