Shkruan: Afrim Kasolli
Prej që kanë ardhur në pushtet Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kanë tentuar që ta përfitojnë simpatinë ndërkombëtare me anë të narracionit se si regjimi i tyre është më demokratik në raport më qeverisjen autokratike të Aleksandër Vuciqit.
Në vazhdimësi kjo dyshe politike kanë potencuar faktin se si mediat, gjyqësori dhe sferat tjera të shoqërisë janë të kapura nga regjimi në fjalë, në shtetin fqinj. Po ashtu, se si Kosova nën drejtimin e tyre është shembull i reformave demokratike dhe madje e para në rajonin tonë, e dyta në Evropë dhe e treta në botë.
Kështu, sipas tyre, ky avancim do të duhej të përkthehej në favor edhe në procesin e dialogut më Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ngase para normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve mbetet imperative të kultivohet një solidaritet ndërmjet vendeve demokratike kundër një regjimi autoritar. Sepse siç dihet, modele sikur ky i fundit janë gjithmonë rrezik për të parat. Ashtu sikur Rusia që është kërcënim për paqen demokratike evropiane edhe Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Madje të njëjtit në mënyrë të vazhdueshme e kanë përsëritur refernenin se edhe qasja asmitrike e BE-së në procesin e dialogut ishte edhe pasojë ish-klasës së korruptuar politike në pushtet. Ngase eksponentët e ish-“regjimit të vjetër”e patën këmbyer fatin e tyre personal me kompromise më Serbinë kundër interesave shtetërore. Se ku përfunduan këto iluzione e kemi parë të grithë. Kosova u vendos nën masa sanksionuese nga BE-ja, kurse Serbia jo.
Mirëpo, mjerisht tashmë organizatat kredile ndërkombëtare, kanë filluar ta shohin edhe më keq Kosovën e Albin Kurtit se sa atë të Aleksandër Vuqicit , sa i përket standardeve demokratike. Sipas Reporterëve pa Kufij, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete. Për më tepër, vendi ynë në regjimin e ri, “ndodhet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Kohë me parë i dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kishte pohuar se shumë investitorë gjermanë më shumë po investojnë në Serbi, se sa në Kosovë. E të mos flasim këtu për “vizitat e fundit ekonomike” të Donald Trunp Jr në Beograd.
Kështu, Kosova përpos që ka dështuar të shndërrohet në një vend më atraktiv në aspektin ekonomik në raport me Serbinë, mjerisht tash edhe rënia e lirisë së shprehjes, sipas botës, ka filluar të përshkallëzohet më shumë në Kosovë se sa shtetin fqinj, Tv Arbëria.