08:20 New York
Dark Light
Kërko

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Përkeqësohet liria e medias, Kosova radhitet 24 vende më poshtë nga viti i kaluar

Përkeqësohet liria e medias, Kosova radhitet 24 vende më poshtë nga viti i kaluar

Kosova ka shënuar rënie sa i përket lirisë së shtypit sipas raportit të Reporterëve pa Kufij.
Kosova nga vendi tani renditet në vendin e 90-të.

Këtë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka quajtur alarmuese

Raporti siç ka njoftuar AGK, vë në pah se gazetarët në Kosovë janë shënjestër e vazhdueshme e sulmeve politike dhe quhen pa të drejtë “bashkëpunëtorë të armikut.Gjithashtu, kritikohet miratimi i Ligjit për KPM-në që e politizonte këtë organ të pavarur. Edhe pse media ka qenë e suksesshme për të mbajtur politikanët përgjegjës, gazetarët kanë vazhduar të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori medial joefektiv, Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM), ishte subjekt i një reforme ligjore kundërthënesë, që rrezikon edhe më shumë ta pengojë pavarësinë e këtij organi. Para zgjedhjeve 2025, disa media prívate u targetuan për t’u bojkotuar nga qeveria, e cila gjithashtu e kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK.  Edhe pse gazetarët gëzojnë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë target shumë shpesh i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në mediat sociale. Ata akuzohen pa të drejtë si “bashkëpunëtorë të armikut”, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe religjioze”, thotë raporti në pjesën kryesore.

Aty përmenden edhe shtimi i padive SLAPP kundër gazetarëve, vështirësitë për qasje në dokumente publike, vëzhgimi i gazetarëve dhe kërcënimet për sigurinë e tyre fizike.

AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, Vetëvendosje.

AGK-ja i fton të gjithë akterët institucionalë e të shoqërisë civile për punë të përbashkët, duke përfshirë hartimin e një ligji të ri të KPM-së, në mënyrë që vendi të përmirësojë renditjen katastrofale në indeksin e lirisë së mediave.

Tutje, raporti gjeti se në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, mediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik.

Verën e kaluar, me gjithë kritikat e mëdha, Kuvendi i Kosovës e miratoi një ligj për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili, veç tjerash, parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi këtë ligj, pasi gjeti se disa nene të ligjit nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Vetëm gjatë vitit 2024, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i regjistroi 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 80-të, duke shënuar ngritje krahasuar me vitin 2024, kur u vlerësua me pozitën e 99-të.

Raporti gjeti se peizazhi mediatik në Shqipëri – ashtu si në Greqi e cila renditet e 89-ta – përshkruhet nga konfliktet e interesit.

Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet më së miri, në vendin e 37-të, pastaj Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta.