Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > “Aksham pazari filozofik” që e vulosi patriarkalizmin politik të partisë fituese të zgjedhjeve

“Aksham pazari filozofik” që e vulosi patriarkalizmin politik të partisë fituese të zgjedhjeve

 Shkruan: Afrim Kasolli

 

 

Që kur e ka nominuar Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje, votën kundër saj nga partitë “opozitare” ka tentuar ta definojë edhe si shprehje të patriarkalizmit dhe kundër frymës emancipatore gjinore që e prezanton ky nominim. Madje njëri nga deputetet sharlatan të këtij subjekti politik, pozicionin kundërshtues të subjekteve tjera parlamentare, e quajti si shpërfaqje të impulseve të fshehura “mizogjeniste dhe seksiste”. Sepse sipas tij, të njëjtat janë duke kërkuar një kryetare grua të heshtur sipas imazhit të grave amvise, që të vetmin funksion e kanë se si me devotshmërinë e tyre janë të përulura ndaj burrave. Prandaj, ata nuk po mund të jenë komod me Albulena e Haxhiun, e cila me “rebelizmin” e saj politik e përfaqëson të kundërtën e këtij roli tradicional të grave.

Një konstatim i tillë, para së gjithash është fyerje për vetë gratë tjera të angazhuara në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai e transmeton mesazhin se nuk mund ta pranojnë ftesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për ta nominuar Shqipe Selimin, apo Saranda Bogujevcin, ngase këto të fundit nuk janë në nivelin e detyrave “revolucionare”. Madje mjerisht kjo e fundit reagoi në mënyrë kategorike kundër kësaj thirrje për kompromis politik, si parakusht për ta zhbllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke dëshmuar devotshmërinë partiake. Por ky reagim “neverik” mund të jetë edhe mbase shprehje e introjektimit psikologjik ku perfomanca politike e gruas duhet të përshtatet vetëm me atë të definuar nga lideri. Sidoqoftë, derisa partia fituese e zgjedhjeve ishte e angazhuar në denoncimin e qasjes “patriarkale” të partive opozitare, dje u bënë publike se si ish-krye kuvendari Glauk Konjufca, ka tentuar të grabis vota të deptuteteve të partive tjera, sipas frymës së “aksham pazarit filozofik” me qëllim sigurimin e pushtetit edhe për një mandat.

Këtë “dekonspirim” e bëri vetë Gani Geci, nëpër disa studio televizive, duke dëshmuar se si “filozofi” i Vetëvendosjes i ka ofruar benefite shtetërore dhe ekonomike të parit në këmbim për votën vajzës së tij, Marigona Geci. Analistë të ndryshëm këtë logjikë tregtare me resurset e shtetit në favor të pushtetit e kanë definuar më shumë se skandal, pikërisht për shkak të mentalitetit patriarkal që e vulos. Opinionisti Afrim Haliti, shkruan se një “akt i tillë nuk është vetëm shkelje e protokollit por manifestim i turpshëm i normave patriarkale që po e shkatërron autonominë e deputetëve të zgjedhur. Duke anashkalu Marigona Gecin dhe duke i bërë thirrje babait të saj neve na e bën të qartë se pozita dhe rëndësia e Marigones është dytësore derisa vendimet e saj i nënshtrohen mbikëqyrjes atërore”. Prandaj, vazhdon i njëjti, “këto veprime i zhvlerësojnë tej mase themelet e demokracisë kosovare duke na sugjeru se negociatat prapa skenave dhe presionet familjare së bashku zëvendësojnë diskutimet transparente dhe bindjet individuale. Kjo jo vetëm që nuk respekton deputeten e zgjedhur, por as elektoratin që ia besoi asaj votën”

Kurse e ashpër ndaj kësaj sjellje, ka qenë edhe ish-gazetarja e mediumit Koha Ditore, Saranda Ramaj. Ajo shkruan, se “Kur ish-Kryeparlamentari Glauk Konjufca vendos me thirr Gani Gecin për me ndiku votën e Marigona Gecit, nuk e shkel veç autonominë e një deputeteje por ai e mohon krejt ekzistencën e saj politike. Kjo s’është as politikë, as marrëveshje. Është seksizëm dhe degradim që tregon qartë se për disa, gratë në politikë ende llogariten si instrument i babës ose burrit.

Në anën tjetër çka i duhen Kuvendit të Kosovës deputete si Marigona Geci që nuk e përfaqësojnë as vetën. LDK le ta shtin në listë Gani Gecin e jo Marigonën”. Ndërkohë, synimi i kësaj partie, për ta çarë vetminë e saj politike edhe me këto metoda bizare, shënon triumfin cinik të një vetëdije fatkeqe politike dhe siç shkruan filozofi i njohur gjerman, Peter Sloterdijk, i përfaqëson “metamorfozat komplekse të shpresës në realizëm, të revoltës në melankoli dhe mohimit të madh politik në një afirmimin shumëfytyrësh subpolitik” .