Shkruan: Afrim Kasolli
Tashmë nuk është fantazmë. Por realitet. Shtrenjtimi i çmimit të energjisë elektrike ka filluar t’i jap efektet e para negative ekonomike në vend. Është paralajmëruar se nga 1 maji qytetarët e Kosovës përpos faturave me të shtrenjta do të përballen edhe me çmime më larta të mallrave bazë të konsumit, sikur buka etj, duke e vështirësuar edhe më shumë jetën në masë të madhe të qytetarëve të Kosovës.
Kjo perspektive zymtore me të drejtë e ka shtruar pyetjen sa a do t’i hakmerret politikisht partisë fituese të zgjedhjeve? Sepse, ky përkeqësim i jetës ka ndodhur nën qeverisjen e saj. Shto këtu faktin se pas pamundësisë për t’u konsitituar Kuvendi i dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit, shkuarja në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme po shihet si opsion gjithnjë e më real për shtegdalje nga kriza aktuale. Çfarë do t’i shtonte shanset që partitë “opozitare” ta shfrytëzonin këtë situatë për të përfituar më shumë politikisht nga ky frustrim qytetar.
Sidoqoftë se sa ka gjasa të është ky real ky skenar mbetet të shihet. Ndonëse e kaluara nuk jep shumë shenja optimiste. Gjatë gjithë mandatit të kaluar, partitë opozitare kanë pasur qasje reaktive ndaj pushtetit. Ato më shumë se për t’u angazhuar politikisht kundër pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha shpresat i patën varur te gabimet eventuale diplomatike dhe acarimin e mundshëm të Albin Kurtit me faktorët ndërkombëtarë në mënyrë që të përfitonin nga një skenar i tillë. Kjo e fundit vërtetë ndodhi. Kryeministri Kurti u izolua ndërkombëtarisht. Kosova u gjend nën masa sanksionuese të BE-së. Si dhe përfaqësues si të SHBA-së, ashtu edhe të shteteve evropiane e akuzuan atë se po i dëmton raportet me partnerët strategjikë të Kosovës.
Mirëpo, kjo e fundit nuk u përkthye në humbje serioze elektorale. Përkundrazi, ai e ruajti një diferencë të madhe me partinë e dytë e të tretë. Sepse gjithë këtë situatë ia doli ta interpretojë si të motivuar në mbrojtje të sovranitet në çdo cep të vendit. Prandaj, partitë opozitare nuk është se përfituan diçka nga ky acarim me partnerët ndërkombëtarë. Duke dëshmuar edhe një herë se ai që e ka narracioni më të besueshëm për publikun, pavarësisht zhvillimeve reale, ka gjasa që të ketë edhe sukses më të madh politik.
Po ashtu edhe në planin ekonomik katër vitet e kaluara u shoqëruan me stagnim ekonomik, rritje të varfërisë, të argumentuar edhe nga organizatat ndërkombëtare sikur UNDP, inflacion dhe zhytje në borxhe gjithnjë e më shumë të qytetarëve me qëllim të mbijetesës ekonomike, po ashtu të prezantuara nga Banka Qendrore Ekonomike e Kosovës. Pra sikur, këto të fundit të ishin kriter i vetëm politik, sipas të gjitha gjasave partia fituese e zgjedhjeve nuk do ta gëzonte këtë rezultat. Mirëpo edhe në këtë rast, Albin Kurti ia doli ta mbajë gjallë narracionin politik për partitë opozitare si të drejtuara nga kasta të mbyllura ekonomike e klane oligarkike të shkëputura nga shoqëria.
Në këtë kontekst, sipas t gjitha gjasave nëse këto të fundit nuk ia dalin që ta korrigjojnë këtë imazh publik ka rrezik që edhe ky shtrenjtim i jetës t’u faturohet me shumë atyre se sa partisë fituese të zgjedhjeve. Dhe paradokse të tilla janë të njohura në histori.
Me këtë rast qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të jetojnë të pakënaqur me politikat ekonomike të Albin Kurtit, por që po ashtu të jenë të kënaqur me drejtimin politik të vendit nga ai. Ky i fundit do të mund ta humb këtë rol vetëm atëherë kur narracioni i tij do të mund të zëvendësohet nga një narracion alternativ politik. I cili mjerisht shihet qartë se ende po mungon.