Në kuadër të shënimit të Ditës së Personave të Zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, të shtunën u mbajtën homazhe pranë Monumentit të Personave të Zhdukur, afër Kuvendit të Kosovës. Këto homazhe u organizuan nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Pas ceremonisë, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, theksoi se plagët e lëna nga zhdukja e individëve nuk janë thjesht plagë të izoluara, por një plagë kolektive që preku thellësisht tërë shoqërinë kosovare, shkruan Insajderi.
Ai shtoi se normaliteti nuk mund të arrihet pa zbardhjen e plotë të të vërtetës dhe pa vendosjen e drejtësisë.
Sipas Hotit, ngjarjet tragjike nuk mund të shërohen vetëm me kalimin e kohës, por kërkojnë një proces të thellë drejtësie dhe transparence. Vetëm kur e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të vihet në vend për çdo familje, mund të flasim për shërimin e kësaj plage.
“Të zhdukurit dhe plaga jonë nuk është plagë individuale, por është një plagë që e prek gjithë shoqërinë tonë. Është një plagë që nuk mund të ketë normalitet, pa u treguar e vërteta dhe pa ardhur drejtësia në vend. Të zhdukurit nuk mund të shërohen si plagë vetëm me kalimin e kohës. Kjo plagë do të shërohet vetëm kur drejtësia do të vihet në vend dhe e vërteta të tregohet në familje. Zhdukjet, vrasjet apo edhe dërgimi i trupave në frigorifer apo në pajisje të ndryshme bërë varreza masive në Serbi nuk janë thjeshtë akte lufte. Ato janë krim kundër njerëzimit, gjenocid i pastër. Një lloj krimi që në fakt bota e sotme nuk e sheh shpesh herë. Prandaj, ky krim duhet të ketë drejtësi, e që fatkeqësisht ne këtë drejtësi ende po vazhdojmë ta kërkojmë në instanca ndërkombëtare dhe kudo që mundemi. Ne Kosova, qytetarët e Kosovës nuk di të ndalemi derisa personi i fundit i zhdukur të dihet fati i tij”, tha Hoti.