Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dështimi i BE-së për ta divorcuar Serbinë nga Rusia në “kurriz” të Kosovës

Dështimi i BE-së për ta divorcuar Serbinë nga Rusia në “kurriz” të Kosovës

Shkruan: Afrim Kasolli

Që kur ka filluar procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, krahas motiveve tjera, ka dominuar edhe pretendimi, se ky proces i shërben edhe agjendës euro-integruese të dy vendeve. Kështu progresi në njërin kah të këtij rrugëtimi e ndihmonte tjetrin. Deri sa në fund të dy shtetet, së bashku edhe me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, do të bëheshin pjesë e familjes së përbashkët evropiane. Në këtë mënyrë, bashkësia ndërkombëtare mëtonte që edhe këtë shtet me synime të pastra hegjemonike rajonale ta divorconte nga ombrella ruse.

Në funksion të kësaj agjende ishin bërë edhe shumë kompromise në procesin e dialogut. Të gjitha këto lëshime shiheshin nga diplomatët ndërkombëtarë, si një e “keqe e domosdoshme” përballë një të mire të madhe të përbashkët rajonale. Prishtina nuk kishte rrugë tjetër pos të vepronte në koherencë me këto thirrje. Edhe Lëvizja Vetëvendosje që kishte ardhur në pushtet, duke e sulmuar procesin asimetrik të dialogut me t’u ulur në karriget qeveritare e shndërroi në agjendë primare atë që e kishte mohuar deri dje. Sipas këndvështrimit perëndimor, Serbia në fund do të kthehej qartë ka Brukseli dhe se me minimin e interesave ruse në rajon do të përfitonin të gjithë. Madje nga skema të tilla u tunduan edhe SHBA-të.

I pari që kishte alarmuar në nivelin diplomatik se kjo strategji e perëndimit kishte dështuar qe ish-Sekretari i jashtëm britanik, David Cameron. Gjatë një raportimi para Komitetit për punë të jashtme në Parlamentin Britanik, pas një vizite në Prishtinë, i njëjti kishte pohuar, se strategjia e tanishme komunitetit trans-atlantik për Kosovën, është e dizajnuar para sulmit agresiv të Rusisë mbi shtetin e Ukrainës. Prandaj, “ne tani duhet të mendojmë shumë lidhur me atë se çfarë ka ndryshuar, sepse sigurisht Rusia dëshiron të bëjë më shumë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, të bëjë më shumë përmes bashkëpunëtorëve të saj, përfshirë Serbinë, t’i bëjë këto shtete, përfshirë Moldavinë më pak të sigurta. Prandaj, ne duhet të punojmë për të gjetur mënyra se si ta luftojmë këtë. Mendoj se politika jonë është e ashpër dhe realiste”.

Në të njëjtën kohë, mediumi i njohur amerikan, Ëashington Post në një artikull “politikat pajtuese të Bidenit kanë dështuar në Serbi” shkruante se me qëllim që të mbahej në jetë “rruga evropiane e Serbisë” kjo administratë nuk i kishte kritikuar sjelljet e Beogradit, që qartazi ishin në kundërshtim me këto synime të proklamuara. Sipas burimeve të kësaj gazete, “lideri serb, privatisht i pat siguruar bashkëpunëtorët e tij perëndimorë se është duke bërë të pamundurën për ta integruar kombin e tij të pabindur në kuadër të Bashkimit Evropian dhe ta shndërrojë atë në një partner të besueshëm. Kështu, administrata Biden i bazoi politikat e tij pajtuese duke u bazuar në këto mesazhe private. Madje, edhe pse disa kriza të rrezikshme duke përfshirë edhe atë në vitin e kaluar në veri të Kosovës, dëshmonin gjurmët e gishtërinjve të politikës serbe. E SHBA-të, u përcaktuan për shmangur fajësimin vetëm të njërës palë, dhe duke preferuar thirrjet vetëm për qetësi”.

Po ashtu, këtu nuk duhet harruar as investimet marramendëse ekonomike perëndimore të gjitha në funksion të qëllimit të sipër përmendur.

Ndërkaq, këtu duhet kujtuar faktin, se dallimi strategjik ndërmjet administratës Biden dhe asaj aktuale Trump, ndonëse nuk ka dhënë ende shenja të një angazhimi konkret në rajon, mirëpo nëse e bënë, atëherë primare për të nuk do të jetë Brukseli dhe qasja transatlantike, por Shtëpia e Bardhë,dhe qasja bilaterale dhe transaksionale. Çdo impenjim i mundshëm i SHBA-ve në për përshpejtim të dialogut Kosovë-Serbi, do të mund të bëhej nga prizmi i interesave nacionale amerikane, e jo evropiane. Se cfarë do të mund te jetë epilogu i një nisme të tillë mbetet të shihet?

Sidoqoftë, tashmë është e qartë se strategjia e madhe perëndimore, së cilës i subordinohej edhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për ta rikthyer Serbinë ka vetja e tyre nuk ka dhënë fryte. Përpos refuzimit për t’iu bashkuar Brukselit në sanksionimin ndërkombëtar dhe ekonomik të Rusisë, për shkak të agresionit brutal në Ukrainë, gjatë vizitës së fundit në Moskë, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, tregoi hapur, se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë në Moskë më 9 maj në ditën e paradës ushtarake. Një dëshmi kjo, se Serbia vazhdon të jetë e lidhur në mënyrë simbiotike me Rusinë dhe nuk ka e ka ndërmend të divorocohet.

Përfundimit, ky zhvillim shpërfaq edhe dështimin e BE-së, që në “kurriz” të Kosovës ta realizojë këtë synim strategjik. Para pak dite shefja e Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar se janë duke i shqyrtuat opsionet që përpos dialogut të mendohet edhe ndonjë mjet tjetër se si do të mund të kontribuonte në drejtim të normalizimit ndërmjet dy vendeve, si dhe se janë duke i analizuar gabimet që kanë ndodhur “në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë”. Mbase dëshmi më të mëdha për gabimet në këtë proces se sa tolerimi i qasjes duale të Serbisë nuk ka nevojë të gjendet. Ajo tashmë janë evidente. Mjafton vullnet politik dhe diplomatik për ta sanksionuar atë. E jo për të vazhduar sikur asgjë nuk po ndodh.