Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Rikthehet në operim njësia A-4, e Termocentralit “Kosova A”

Rikthehet në operim njësia A-4, e Termocentralit “Kosova A”

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka paralajmëruar se pas një pune intensive dhe të pandërprerë nga ekipet përkatëse të “TC Kosova A”, njësia A-4 është rikthyer sërish në operim të rregullt.

‘Kjo njësi kishte dalë nga prodhimi më 14.04.2025, rreth orës 08:11, për shkak të paraqitjes së një rrjedhjeje në kaldajë. Gjatë ndërprerjes, janë eliminuar me sukses të gjitha mangësitë teknike, përfshirë edhe ato në kullën ftohëse dhe në pjesë të tjera të pajisjeve teknologjike të domosdoshme për rritjen e sigurisë së operimit të kësaj njësie’’, thuhet në njoftimin e lëshuar nga KEK.

Sipas KEK-ut njësia A-4 kishte operuar pandërprerë për 68 ditë rresht, duke dëshmuar stabilitet të lartë dhe efikasitet në prodhim.

“Sipas planifikimit, përgatitjet për startimin e njësisë kanë filluar mbrëmë me dt: 21.04.2025 rreth orës 18:55, ndërsa sinkronizimi me rrjetin është realizuar në orë 23:30. Aktualisht, njësia ndodhet në gjendje stabile dhe funksionon në parametra të rregullt operimi.KEK, përmes angazhimit dhe përkushtimit të vazhdueshëm, po dëshmon se mbetet një faktor kyç i stabilitetit të sektorit energjetik në vend”, përfundon njoftimi.