Përdorimi i produkteve të vaping-ut dhe blerja e tyre nga moshat nën 18-vjeç, në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese. Rrjeti i Prindërve të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, që përmes akteve ligjore të kufizojë blerjen e tyre. Shumë nxënës kanë pranuar se në afërsi të shkollave shiten këto produkte, derisa psikologët e shkollave ngrenë shqetësimin se përdorimi i tyre ka pasoja të rënda në shëndetin mendor tek adoleshentët.
“Jam nxënëse e klasës së shtatë. Klasa ime ka tentuar disa herë që unë të konsumoja vape, por unë e kam refuzuar këtë gjë, derisa kujdestarja jonë mori disa veprime pasi dëgjoi këtë rast”, tha një nxënëse.
Kjo nxënëse mund të ishte një prej përdoruesve të vape-ve, nëse nuk do t’i rezistonte edhe bullizimit nga shoqëria e saj, pse nuk po i konsumon këto produkte, të cilat vazhdojnë të shiten në afërsi të shkollave. Shqetësimin për këtë gjë po e shprehin në vazhdimësi edhe prindërit.
Gazmend Gjota, nga Bordi i Rrjetit të Prindërve të Kosovës, ka thënë për Radio Kosovën se kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të ndërmarrin hapa për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet që paraqesin këto produkte, duke miratuar ndonjë akt ligjor që kufizon shitjen dhe përdorimin e tyre nën moshat 18-vjeç.
“Bashkimi Evropian i ka futur të gjitha me një term produktet e duhanit, ndërsa në Kosovë nuk është bërë ky kategorizim. Janë 30 shtete në botë që kanë ndaluar përdorimin e produkteve elektronike, dhe janë 70 për qind e shteteve në botë që i kanë klasifikuar si produkte +18. Nëse e analizojmë, në Kosovë tregu i tyre është rritur shumë në proporcion me numrin e banorëve dhe pikat e shitjes së tyre janë prezentë kudo dhe afër objekteve shkollore dhe nga shitësit shiten pa hezitim, nuk kanë as kujdesin minimal se për çfarë moshe po shiten, për 10-vjeçar, 12-vjeçar apo 15-vjeçar. Si pasojë e kësaj, fëmijët janë duke i konsumuar në mosha shumë të hershme, ndoshta nga mosha 10-12 vjeçare. Shumica e këtyre produkteve përmbajnë nikotinë dhe produkte të tjera të dëmshme, është rrugë shumë e lehtë që duhani ose narkotikët e tjerë të jenë shumë më prezentë te fëmijët”, tha ai.
Sipas të dhënave që tregoi Gjota, gjatë kontrollimit të çantave të nxënësve në shkolla, gjenden shpesh produkte të vape-ve dhe të tjera. Këtë e kanë konfirmuar edhe vetë nxënësit dhe mësimdhënësit. Disa nxënëse të shkollave të ndryshme në kryeqytet, të cilat nuk dëshirojnë të identifikohen, e pranojnë se kanë parë që moshatarët e tyre marrin me vete vape, të cilave megjithatë, ua dinë çmimin.
“Kam parë që në afërsi të shkollës sonë ka shumë vape në shitje dhe çmimet janë nga 7 euro e lartë. Ka edhe shumë nxënës që i blejnë dhe i konsumojnë”, tha një nxënëse tjetër.
“Në klasën time nuk është që e përdorin shumë, por në shoqërinë jashtë shkollës po”, tha ajo.
“Në klasën time hyjnë shumë shpesh në kontroll dhe na këshillojnë që përdorimi i vape është shumë i rrezikshëm për shëndetin”, tha një nxënëse tjetër.
Psikologia e Shkollës “Pjetër Bogdani”, Albana Bytyqi, tregon për pasojat që mund ketë përdorimi i kësaj lloj cigareje te moshat e reja.
“Po ashtu, nxitë ankthin, iritimin, lodhjen mendore kur konsumohet rregullisht. Përdorimi i vape është i lidhur ngushtë edhe me depresionin dhe ankthin, ka lidhje edhe me rritjen e rasteve të çrregullimit të humorit. Përdorimi i vape ka ndikim në pjesën e përqendrimit dhe kujtesës tek adoleshentët. Nikotina ndikon negativisht në zhvillimin e trurit, sidomos në pjesët që kanë të bëjnë me vendimmarrjen dhe kontrollimin e impulseve, gjë që është tejet e rëndësishme në këtë fazë. Është shumë e rëndësishme që të bëhet një ndërgjegjësim te të rinjtë për sa i përket përdorimit të vape dhe se si nga kjo mund të kalohet shumë lehtë te cigaret klasike”, tha ajo.
Radio Kosova ka pritur dy javë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, nëse do të ndërmarrin hapa konkretë për ndalimin e shitjes së produkteve të vape-it për moshat nën 18-vjeç, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar rregulla që përcaktojnë moshën minimale për blerjen e produkteve të vaping-ut, e cila është 18 vjeç. Kjo është në përputhje me Direktivat për Produktet e Duhanit (TPD), që synojnë të mbrojnë shëndetin e të rinjve dhe të parandalojnë përdorimin e tyre nga fëmijët dhe adoleshentët.
Në Kosovë, megjithatë, ende nuk ka një akt ligjor apo nënligjor që të kufizojë shitjen dhe përdorimin për të rinjtë të produkteve të vape-it, cigareve elektronike dhe të tjera të ngjashme.