Selver Islamaj në ARB Debat në TV Arbëria me Rid Berishën ka paralajmëruar se Kosova ndodhet në një fazë fillestare që mund të çojë drejt një krize politike, për shkak të vështirësive në krijimin e institucioneve paszgjedhore.
Sipas tij, krijimi i institucioneve të reja gjithmonë përfshin ballafaqime, sidomos në situatat kur partia fituese nuk arrin të gjejë gjuhë të përbashkët me partitë e tjera parlamentare.
“Kjo është një fazë fillestare që mund të çojë në krizë politike. Krijimi i institucioneve të reja ka ballafaqime, sidomos kur i pari nuk mund të gjejë marrëveshje me të dytin apo me opozitën. Opozita natyrisht tenton të formojë qeverinë dhe do të ketë tendenca për ta zvarritur procesin, me qëllim që të lodhet fituesi dhe ta dorëzojë mandatin tek i dyti” ka deklaruar Islamaj.
Duke komentuar dështimin e dytë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Islamaj tha se megjithatë, ka hapësirë për zgjidhje.
“Në këtë aspekt mund të gjendet një zgjidhje, pasi edhe shtete të tjera kanë kaluar në situata të ngjashme. Austria, për shembull, e ka pasur të njëjtën problematikë, ku formimi i institucioneve ka zgjatur mbi pesë muaj e gjysmë,” theksoi ai.