Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, i ftuar në emisionin Arb Debat me Rid Berishën, ka folur për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
Ai ka thënë se me fillimin e mandatit të tij në Prishtinë janë sjellë 1,370 kontejnerë të rinj.
“E kemi pajisur në fazën e parë kryeqytetin me 1,370 kontejnerë të rinj. Pastaj kemi blerë edhe 2,500 të tjerë, të cilët fatkeqësisht ende nuk janë shpërndarë tërësisht nga ndërmarrja Pastrimi, sepse nuk e ka kapacitetin e mjaftueshëm për shpërndarje.
Në vitin 2024 patëm fat, sepse gjetëm mundësinë për ta inkuadruar një operator ekonomik privat, i cili i dha Prishtinës një qasje krejt ndryshe. Kjo ishte ndihma më e madhe për ndërmarrjen Pastrimi, sepse aty ku ajo nuk arrin në kohë për ta kryer punën, natyrisht që operatori privat e merr përsipër,” ka thënë Brestovci.
Drejtori tutje tha se inatet politike po pengojnë shtyrjen përpara të projekteve në të mirë të Prishtinës.
“Ne jemi përgatitur për vitin 2025, që me të vërtetë ta vëmë në dispozicion të gjitha kapacitetet dhe mundësitë, në mënyrë që Prishtinën gjatë vitit 2025 ta kemi totalisht të pastër, dhe që Prishtina të jetë e renditur ndër kryeqytetet më të pastra të rajonit.
Mirëpo, fatkeqësisht, këtu ka aq shumë inate politike, aq shumë luftë politike, sa që interesi i qytetarit jo vetëm që nuk vihet në vend të parë, por radhitet diku në fund,” ka thënë Brestovci në Arb Debat.