Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit dhe sidomos pas bërjes publike të atyre që kanë fituar dhe humbur në këtë garë kanë shpërthyer pakënaqësi të mëdha kandidatëve për deputetë në secilën prej partive politike. Ka ditë që grupe të brendshme në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë përfshirë në një betejë për “jetë a vdekje” politike, duke marr shkas si nga rezultati jo i mirë i kësaj partie, ashtu edhe nga pretendimet për vjedhje industriale të votave të diasporës me postë.
I pari që u shpreh publikisht ndaj këtij abuzimi ishte ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti. Ai shkruante se “përpos personalizmit të fushatës, përbërjes së listës, renditjes së kandidatëve dhe favorizimit medial të një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, zgjedhjet e 9 shkurtit i ka karakterizuar edhe një proces i manipulimit të tyre, veçanërisht ato me postë nga diaspora”.
Ndërkohë, më vonë u dekonspiruan disa komunikime të brendshme, ndërmjet ish-Shefi të Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik, Arben Gashi me nënkryetarin Kujtim Shala, ku i pari flet për një skemë të organizuar kriminale. Kurse, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, këto akuza i kishte quajtur si shqetësime sezonale dhe se kishte kërkuar që të njëjtit t’i dërgojnë ato pranë organeve kompetente. Mirëpo, akuza dhe pakënaqësi të tilla nuk kanë munguar as në partitë tjera. Por nuk mund të mohohet fakti se ato nuk kanë marr jehonë publike, sikur se ato të LDK-së. Para pak dite, ish-deputeti i këtij subjekti politik, Ardian Kastrati, ka hedhur akuza të rënda ndaj liderit të partisë së tij, Memli Krasniqi, duke aluduar se ai ka ndikuar tek rënia e numrit të votave me arsyetimin se i ka prishur matematikat e PDK-së për të bërë koalicion qeveritar me VV-në.
Por akuza të ashpra për abuzimeve të tilla ka shfaqur edhe ish-deputeti tjetër i këtij subjekti politik, Hisen Berisha, e i cili nuk ia ka dalur të sigurojë ulëse në Kuvend në këtë mandat. Në një intervistë për emisionin Arb Debat në mediumin Tv. Arbëria, ai ka pohuar se “sistemi i numërimit dhe evidentimit të votave është tërësisht i korruptuar”. Madje, ai pretendon se i janë vjedhur votat, derisa ka theksuar se nëse bëhet rinumërimi dhe atij i dalin nën 40 mijë vota, ai do ta lërë politikën”.
Megjithatë, përkundër këtyre zërave nga kjo parti që kanë bërë akuza të hapura për shtrembërim të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës, nuk mund të mohohet fakti se ai po zhvillohet në margjina partiake dhe pa drama publike sikur në rastin LKD-së. A ka të bëjë kjo me faktin se ky subjekt ka sistem më të sofistikuar të kontrollit, apo edhe vetë të revoltuarit, në fund janë pajtuar për fatin e tyre, mbetet një “enigme sfinksi” Sidoqoftë, supozime të tilla të paktën duhet ta vënë në lëvizje me automatizëm Prokurorinë.
Detyra e saj është që ta mbrojë çdo votë të mundshme nga manipulimi, pavarësisht peshës dhe ndikimit partiak të atyre që kanë pretendime se janë dëmtuar në zgjedhjet e 9 shkurtit. Siç dihet, institucionet juridike kanë për detyrë ta mbrojnë të drejtën e çdo qytetari e jo pushtetin politik të grupeve të brendshme partiake.
Çdo vonesë në këtë drejtim e forcon përshtypjen se ky organ nuk ndodhet në nivel të përgjegjësive shtetërore.